Amir Rrahmani është një futbollist tepër i rëndësishëm për Kosovën në zemër të mbrojtjes. Futbollisti i Napolit, ka dilema nëse do të jetë në dispozicion të “dardanëve” për ndeshjen kualifikuese kundër Izraelit, që do të zhvillohet këtë të diel në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Është një çështje për të cilën po diskutojmë dhe nuk kemi marrë ende një vendim. Po flasim me klubin dhe federatën”, u shpreh Rrahmani pas barazimit që Napoli regjistroi në stadiumin “Diego Maradona” kundër Unionit të Berlinit, në takimin e vlefshme për Grupin C të Champions League.

Sa i përket paraqitjes së ekipit, Amir Rrahmani u shpreh se mund të kishin bërë më mirë.

“Goli i barazimit ishte një goditje këndi në favorin tonë, mund të shënonim të dytin, por e pësuam në kundërsulm. Nuk ishim mjaftueshëm të organizuar në mbrojtje. Golin e pësuam në fillimin e pjesës së dytë dhe më pas tentuam me gjithë mundësitë për të shënuar sërish. Nuk ia dolëm, madje lamë shumë hapësira në prapavijë, por kjo erdhi vetëm si pasojë e dëshirëss së madhe për të fituar. Jemi në vend të dytë në grup, por mungon shumë pak për t’u kualifikuar dhe kjo është e rëndësishme. Futbolli kështu e ka, nëse nuk e mbyll ndeshjen atëherë e pëson. Duhet të mësojmë nga gabimet”, dekalroi Rrahmani.