Napoli mposhti me rezultatin 1-0 ditën e djeshme Juventusin. Për të kaltrit, titullar nga minuta e parë ishte edhe Amir Rrahmani që shfrytëzoi mungesat në repartin e prapavijës për të treguar vlerat e tij.

Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, rezultoi njeriu i ndeshjes pasi jo vetëm neutralizoi Ronaldon dhe Moratën, por fitoi edhe penalltinë që rezultoi vendimtare.Në zhvillimet e një këndore, Rrahmani goditet nga Kielini i cili kërceu me krahë të hapura.

Rrahmani bie në tokë, ndërsa arbitri ngurron të japë vendimin, e vetëm VAR përcakton se ishte 11-metërsh. Ndërkohë, sot janë zbuluar edhe fjalët e Kielinit thënë Rrahmanit në momentin që ky i fundit ishte në tokë.

“Hajde Rrahmani ngrihu, mos bëj rolin e budallait”, iu drejtua kapiteni bardhezi kolegut të tij. Megjithatë, goditja në fytyrë ishte dhe kështu penalltia u akordua, pavarësisht pretendimeve të Kielinit.