Policia e rtiranës ka arrestuar një 30-vjeçar, pasi një ditë më parë në rrugën e Bogdanëve rrahu me grushte dy vajza pa asnjë arsye teksa ato po ecin në trotuar.

Video u publikua në rrjetet sociale, ndërsa mësohet se ky ishte një rast i përsëritur i dhunës që 30-vjeçari me iniciale D.T., shkaktonte ndaj vajzave në rrugë veçanërisht në zonën e Myslym Shyrit.

Njoftimi i policisë

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:

– D. T., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Arrestimi i tij u bë pasi gjatë ditës se djeshme kanë bërë kallëzim shtetaset A. R., 26 vjeçe dhe M. R., 29 vjeçe, banuese të dyja në Rrugën e Bogdanëve, se një shtetas i ka goditur me grushte pa arsye po në këtë rrugë, rast i cili është bërë publik dhe në rrjete sociale.

Pas denoncimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasin D. T., ku në përfundim të veprimeve u bë dhe arrestimi i tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.