RRESHEN, 15 prill 2013- Shtëpia ndodhet në majë të një kodre pranë fshatit Gziq, rreth 5 km larg Rrëshenit. Banesë shumë e varfër, jashtë e brenda. Aty jetojnë katër anëtarë të familjes Vorfi. Babai ka probleme serioze me shikimin, nëna nuk është mirë mendërisht, djali 24 vjeç është autik i rënduar, ndërsa më e vogla sapo ka pësuar një traumë që do të tregohet në vijim… Derën e hap vetë E.V. Për nga mosha nuk i ka mbushur 15 vjeç, është fëmijë në klasën e nëntë të shkollës, por për nga tiparet dhe zhvillimi ngjan si një femër shumë e bukur. Kjo është nxënësja, e cila pretendon se mësuesi i saj i Anglishtes, 63-vjeçari Ded Gjini, ka tentuar që ta përdhunojë pak pas mesditës të së premtes, në shtëpinë e tij, që ndodhet pak metra larg shkollës. E.V. na fton brenda, duke thërritur njëkohësisht babain e saj, Gjonin. Biseda është e gjatë, derisa arrijmë ta bindim të atin për të marrë dëshminë e vajzës. Në prani të tij dhe të nënës, E.V. sqaron për gazetën “Panorama” të gjithë dinamikën e ngjarjes. Ngjan e tronditur psikologjikisht dhe herë pas here e ndërpret rrëfimin, duke u lënë rrugë të lirë lotëve…
A është e vërtetë që mësuesi juaj i Anglishtes, Ded Gjini, ka tentuar t’ju përdhunojë?
Po. Është më se e vërtetë. Përse të gënjej? Për të bërë veten me turp kot? Tani as nuk dal dot më nga shtëpia…
Kur ka ndodhur kjo tentativë?
Ka qenë e premte, diku pas orës 13:00.
Ku ndodhi?
Në shtëpinë e mësuesit.
Po ç’deshët ju në shtëpinë e mësuesit?
Dy ditë më parë kisha dhënë provim në anglisht. Pasi i kishte korrigjuar, mësues Deda më thirri te tavolina e tij dhe më tha veçmas nxënësve të tjerë: “Dëgjo, ti e ke merituar për 9 dhe unë 9 ta kam vënë në provim, por në regjistër ta kam vënë 10”. Mos u trego nxënësve të tjerë për këtë, por ti ke nevojë që të konsultohesh edhe pak në anglisht, në mënyrë që ta marrësh vetë notën 10. Pas kësaj bisede, të nesërmen më ndaloi në korridor të shkollës dhe më tha: “Dëgjo, kam një hall në shtëpi dhe dua të më ndihmosh për një punë. Merr edhe librin e fletoren e anglishtes dhe, pasi të më ndihmosh për diçka, unë do të të ndihmoj me mësime, sepse ke rënë ca”. Unë kisha akoma mësim dhe i thashë që nuk kam se si vij, pasi orën e pestë kisha biologji me mësuese Davën (Dava Brozi). Mësues Deda këmbënguli që unë t’i merrja leje mësuese Davës, të cilën e kam edhe kujdestare. I thashë asaj, por nuk më dha leje. E takova sërish mësues Dedën dhe i tregova që nuk kisha mundësi të shkoja për ta ndihmuar orën e pestë, kështu që do të ikja pas mësimit.
Shkove pas mësimit në shtëpinë e mësuesit?
Po, shkova, se nuk e mendova kurrë se kishte ndonjë gjë të keqe. Unë kisha qenë dhe herë të tjera te shtëpia e tij.
Po pse kishit shkuar te shtëpia e tij dhe herë të tjera?
Mësues Deda e ka shtëpinë anash shkollës, dy minuta larg. Por ai jetonte vetëm aty, pasi familjen e kishte larg dhe shkonte fundjavave. Nuk e di saktë nëse familja e tij jeton në Rrëshen apo në Tiranë. Duke qenë se ai jetonte i vetëm, herë pas here kërkonte ndonjë ndihmë nga nxënësit për punë shtëpie apo për të mbajtur diçka.
Pra, keni qenë dhe herë të tjera vetëm te shtëpia e mësuesit?
Jo, vetëm ishte hera e parë që shkoja. Herë të tjera kam qenë me shoqe apo shokë klase. Varet nga punët që kishte për të bërë.
Kur ikët të premten pas mësimit, u larguat veç e veç për te shtëpia e mësuesit apo të dy bashkë?
Veç e veç. Mësues Deda kishte mbaruar më herët mësimin dhe po priste te shtëpia. Ndërsa unë shkova pasi mbarova mësimin. Dola me dy shoqe nga shkolla dhe u thashë që më duhet të ndahesha aty te rruga kryesore, sepse unë do të shkoja te shtëpia e mësues Dedës për ta ndihmuar me diçka dhe për t’u konsultuar në anglishte. Për dy minuta isha te shtëpia e mësuesit dhe trokita.
Kush jua hapi derën?
Mësues Deda, ai jetonte vetëm pra. Më ftoi që të futesha brenda. Më tha që ta prisja te njëra dhomë që quhet “e miqve”, ndërsa vetë shkoi nga dhoma tjetër. Pas pak u kthye te dhoma ku isha unë dhe më ofroi një mollë. E mora dhe e ulur po prisja të më thoshte se për çfarë do ta ndihmoja.
Çfarë ndihme donte?
Më pyeti nëse kisha fletoren dhe librin me vete. Iu përgjigja “po”. Pastaj ma kujtoi sërish faktin që më kishte vënë 10 pa e merituar dhe se sa nevojë kisha unë që të konsultohesha me të. Pastaj më tha: “A e di pse dua të të ndihmoj? Se je e mirë, je shumë bukuroshe…”. Dhe duke thënë fjalë të tjera të këtij lloji, m’u afrua dhe nisi të më prekte. Ia hoqa menjëherë duart dhe bërtita fort, duke i kërkuar që të largohej. Ai më tha që të ulja zërin. U shkëputa dhe kapa çantën, mora celularin. Numrin e parë kisha të babit dhe i rashë menjëherë. Por sa u realizua lidhja, ai më kapi për goje, duke më kërkuar që ta mbyll. Babi e kishte hapur sakaq telefonin dhe po thoshte “alo”, “alo”. Atëherë ai ma liroi gojën deri në gjysmë, duke më kërcënuar që të mos i tregoja gjë. U përpoqa të gënjej babin, i cili ndodhej në Tiranë për një punë, duke i thënë nëse mund të më jepte leje që të ikja në Rrëshen së bashku me një kushërirë. Babi më refuzoi, por ndërkaq po më pyeste se çfarë kisha dhe pse flisja me gjysma fjalësh dhe mezi dëgjohesha. Unë sakaq po qaja dhe mezi arrita ta bind “me timen” se nuk kisha gjë. Por babai e kishte kuptuar se diçka nuk po shkonte me mua dhe menjëherë kishte marrë rrugën për në shtëpi (i ati e pohon).
Po pastaj, çfarë ndodhi?
Mësuesi nuk po më linte të ikja, por unë u shkëputa prej tij dhe shkova te dera e korridorit. U përpoqa që ta hapja, por e kishte mbyllur nga brenda. Erdhi edhe ai aty dhe tentoi edhe një herë të më prekte, donte të më hapte bluzën me zor. Pasi u grindëm edhe një herë aty dhe nisa të qaj më të madhe që të më linte që të ikja, atëherë ai më zuri ngushtë pas derës dhe më kërcënoi: “Do të të lë të dalësh, por po hape gojë do të të heq qafe. Do të ta marr shpirtin. Do të ta vras krejt familjen, more vesh? Se nuk më turpëron dot ti…” Tha dhe ca fjalë të tjera duke kërcënuar, por pastaj më la të ikja.
Çfarë bëtë pasi dolët nga shtëpia?
Vrapova me sa kisha fuqi rrugës poshtë, kisha frikë mos më ndiqte prapë. Shkova dhe takova një shoqen time të ngushtë. Po qaja gjithë kohës dhe nuk guxoja dot të kthehesha në shtëpi. I tregova gjithçka që ndodhi. Ajo erdhi bashkë me mua dhe më shoqëroi te shtëpia. Unë u futa te njëra dhomë, shoqja ime i tregoi ngjarjen mamit tim. Mami më thirri dhe unë ia tregova nga e para. Mori në telefon babin, i cili i tha që ishte nisur e po vinte. Njësoj ia tregova edhe babit. Pastaj vendosëm që ta denonconim në Polici.
Po pse morët shoqen t’ia tregonte mamit dhe nuk ia thoshit dot vetë?
Nuk mundesha dot. Më vinte shumë-shumë turp për çfarë kishte ndodhur. Më dukej sikur u përmbys bota. Nuk e besoja dot.
Mësues Ded Gjini e ka mohuar që ka tentuar t’ju përdhunojë. Kush nga ju gënjen?
Faqja e zezë e tij që e mohon.
A ju kishte dhënë më parë ndonjë shenjë ngacmimi mësuesi Ded Gjini?
Jo, asnjëherë. Ka kaq vite që më jep mësim dhe asnjëherë nuk më ka ngacmuar.
Po shoqet e tua?
Nuk e di. Nuk është se më ka treguar ndonjëra për ngacmime.
Çfarë tipi ishte mësues Ded Gjini?
Ishte tip i ashpër dhe nevrik, ndonjëherë merrte për kot. Por kështu në mësim ishte shumë i rregullt.
Po ju si nxënëse, çfarë notash merrnit përgjithësisht dhe veçanërisht në anglisht?
Unë jam nxënëse e nëntës dhe e dhjetës në të gjitha lëndët, përfshirë anglishten. Por për këtë besoj që më mirë është të pyesni të gjithë mësuesit e mi, ose të shikoni fletoret e mia të detyrave (na tregon dhjetat në fletore).
Domethënë dëshironi që të vazhdoni gjimnazin apo shkollën e lartë?
Dëshiroja shumë. Ndaj mësoja dhe kërkoja që të merrja gjithnjë nota të mira. Doja shumë të vazhdoja shkollën e lartë, të bëja diçka në jetë. Por tani nuk do të kthehem më në shkollë.
Pse nuk do të ktheheni më në shkollë?
Nuk dua të kthehem më në shkollë, sepse më vjen turp nga mësuesit dhe shoqet e shokët. E ka marrë vesh gjithë zona këtë që ka ndodhur, nuk dua t’ia di më shkollën. Le të rri këtu në shtëpi e mbyllur gjithë jetën, se mua më mbuloi turpi tani. Kushedi ç’flasin në fshat…
Keni biseduar me ndonjë psikologe për gjendjen tuaj?
Kur më kanë pyetur në Polici, ka qenë aty edhe një psikologe, por këtu në fshat nuk bëhet fjalë.
Do të dëshironit të kishit ndonjë psikologe për të biseduar?
(Qan) Do të doja shumë që të bisedoja, por nuk kam me kë… Nuk kemi mundësi.
Sytë e shkruar mbyten në lot e me zë të mekur vajza thotë : “Nëse babi hakmerret ndaj mësuesit, unë do të vras veten”.
I ati i Elsës Gjoni, sytë e të cilit janë tejet të skuqur e sa s’po plas nga shëndeti, të fton në dhomën, ku veç televizorit LG, nuk ka asnjë orendi normale. Menjëherë nis e të rrëfen se ç’i ka ndodhur të bijës, sikur të ishte historia më e bukur e jetës së tij. E quan grua, vajzë të turpëruar, që nuk do të shoh më dritën e diellit, jo më të prekë pragun e shkollës. Madje në zellshmërinë e tij të rrëfimit, Gjoni e quan edhe “dashnorin e vajzës”, mësuesin që mesditën e së premtes ka tentuar të kryejë veprime të turpshme me 14- vjeçaren. Të thotë se do e vrasë mësuesin e anglishtes se këtë turp veç gjaku e lan. Të flet me zë të lartë e fjala humbet arsyen në gojën e tij, aq sa nuk mund të kuptosh nëse je në shtëpinë e një matrapazi apo të një prindi, vajza e të cilit, endë fëmijë, ka përjetuar historinë më të tmerrshme të jetës së saj. E ndërsa Gjoni ulëret teksa rrëfen çdo t’i bëjë mësuesit, gruaja e Gjonit nuk guxon të flasë. Elsa dridhet e tëra e klithmat që vijnë nga dhoma tjetër duket se i japin forcë 14 vjeçares në rrëfimin e saj. Gjoni të thotë se gruan e ka sëmurë. Ka probleme mendore, por nuk është aq keq si djali, që e mban të mbyllur në dhomën tjetër pasi as nuk flet e as nuk ecën. Gjoni të shpjegon se klithmat ulëritëse i lëshon djali i tij, 24 vjeçar, që një zot e di se në ç’kushte mund të jetojë në atë dhomë të kyçur, kur kjo e hapura është në këtë derexhe.
Dilja nuk thotë asnjë fjalë, edhe pse duhet të ishte e tmerruar nga historia e vajzës, por në heshtje sytë e saj të kallin datën.
Elsa më duket i vetmi njeri normal në këtë shtëpi, nëse mund të quhet e tillë një fëmijë që kujdeset si për nënën, ashtu dhe për vëllain e saj.
Mësuesja kujdestare e Elsës: Nuk më ka treguar asgjë
E ndërsa Gjon Vorfi kërcënon se do të vrasë mësuesin që ka guxuar të prekë vajzën e tij, edhe mësuesja Davë Brozi nuk beson të ketë ndodhur një histori kaq e tmerrshme për të. Mësuesja kujdestare e klasave kolektive, nga klasa e 5-të deri në të 9-ën, thotë se nuk beson kurrsesi që Dedë Gjini të ketë ftuar apo dhe tentuar të kryej veprime të turpshme më nxënësen e tij.
Dava ka rreth 7 vjet që jep mësim në një shkollë me mësues Dedën, e deri më tani nuk ka dyshuar qoftë dhe për problemin më të vogël. Mësues Deda njihet si i rreptë e tepër korrekt në shkollë.
Por përveç se sjelljes korrekte të mësuesit të anglishtes, Dava Brozi të thotë se nuk është në dijeni të vajtjes së vajzës në shtëpinë e Dedë Gjinit. “Nuk është aspak e vërtetë që unë isha në dijeni se vajza do të shkonte në shtëpinë e mësuesit të anglishtes. Po ta dija, sigurisht që nuk do e lija. Është e vërtetë që vajza më ka kërkuar leje orën e pestë me argumentimin se duhet të shkonte në shtëpi se nuk kishte babin aty. Megjithëse unë i dija hallet që ka familja, nuk i dhashë leje. Kemi mbaruar mësimin dhe unë kam përcjellë të gjithë nxënësit sepse atë ditë me mua kishin orën e fundit të mësimit”, të thotë mësuesja kujdestare.
Dava tregon se vajza është nxënësja më e mirë e shkollës. Në klasën e saj, me 4 nxënës, ajo është më e shkëlqyer, qoftë në mësime, po ashtu dhe në sjellje. Por nga ana tjetër mësuese Dava thotë se po kaq e pabesueshme për të, e për mbarë fshatin, është dhe që Dedë Gjoni të ketë kryer veprime kaq të turpshme më fëmijën. Deda është banorë i fshatit dhe për 40 vjet ai ka dhënë mësim në këtë shkollë. Për banorët e fshati Gziq historia është më shumë tronditëse se sa shtëpia e Gjon Vorfit. I gjithë fshati është në mbrojtje të mësuesit, i cili për policinë e Rrëshenit nuk ka pranuar të ketë prekur vajzës apo dhe ta ketë ftuar në shtëpinë e tij. Sipas burimeve të policisë, për mësues Dedë Gjinin, e gjitha është një histori e trilluar që duket se ka tronditur fort moralin e banorëve të fshati Gziq të Rrëshenit.





