Shannen Doherty, aktorja që pak kohë më parë zbuloi se vuante nga kanceri i gjirit, së fundmi ka rrëfyer në kanalin “Entertainment Tonight”se tashmë sëmundja ishte përhapur në gjithë organizmin.
Gjatë intervistës ekskluzive ajo tregoi se fillimisht kanceri i ishte shfaqur në gji, por shumë shpejt ishte përhapur në gjendrat limfatike.
“Pas njërës prej ndërhyrjeve ndaj të cilave u nënshtrova zbuluam se ai tashmë kishte kaluar në gjendrat limfatike. Për këtë arsye, jam duke bërë kimioterapi dhe më pas do i nështrohem terapisë me rreze. Pjesa më e vështirë është ajo e të panjohurës. A do funksionojë kimioterapia? A do funksionojë terapia me rreze? Pyes veten nëse do arrij ta fitoj këtë luftë, apo nëse do më duhet të përballem për herë të dytë. Çdo gjë tjetër është e përballueshme. Do arrij të përballoj dhimbjen, apo të jetuarit me vetëm njërin prej gjinjve. Ajo që më shqetëson është e ardhmja dhe mënyra sesi e gjithë kjo gjë do ndikojë tek njerëzit që dua” shprehet aktorja në intervistën ekskluzive për “ET”.
Megjithatë, ajo tregon se është shumë e rëndësishme mbështetja që po merr nga të afërmit dhe mjekët. Kjo gjë e ndihmon të kalojë me sukses çdo seancë deri në shërimin e plotë.
Doherty u diagnostikua me kancer gjiri në shkurt të vitit 2015 dhe që prej atëhere ka arritur të kalojë me sukses 3 nga 8 seanca kimioterapie. Njëra nga gjërat që e ka prekur atë më së shumti ishte humbja e flokëve, tipar që e karakterizonte aktoren që nga roli në serialin e famshmëm “Beverly Hills”.





