Erdet Çapoku, 34-vjeçari i arrestuar për vrasjen e kunatës së tij ka deklaruar para hetuesve se ka qenë i dehur kur ka shkuar tek banesa e saj e më pas e ka vrarë. Mësohet se Çapoku ka pranuar kryerjen e krimit, pasi dyshonte se kunata i tradhtonte vëllanë.
“Kam qenë i alkoolizuar kur shkova tek kunata. Kemi pasur konflikte familjare. Dyshoja se kunata më tradhtonte vëllain“, ka qenë kjo një pjesë e dëshmisë së tij para prokurorëve.
Çapoku ka rrëfyer para hetuesve se është penduar për vrasjen.
“Jam penduar për vrasjen. Nuk duhet ta kisha bërë. Isha i nxehur dhe doja të nxirrja dufin. Me kunaten kam pasur mosmarrëveshje gjithmonë. Ajo nuk më respektonte dhe nuk më dëgjonte. Pasi u perlesha me të, e pashë që po i dilte shumë gjak nga koka dhe ika. U fsheha tek shtëpia e kushëritit në Laprakë derisa erdhi policia”, tha ai.
Raportohet se edhe në momentin e arrestimit në Laprakë, 34-vjeçari ka qenë i alkoolizuar. Enkeleda Çapoku u vra gjatë orëve të para të ditës së sotme nga kunati i saj në dhomën ku flinte me vajzën dhe nënën. Ai ka hyrë me dhunë në shtëpinë ku banonte Enkeleda me një shkop dhe një thikë me vete.
Pasi ka hyrë në banesë, autori ka thyer edhe derën e dhomës ku flinin Enkeleda, nëna dhe vajza e Enkeledës dhe është konfliktuar me këtë të fundit. Nëna është futur në mes, por nuk ia ka dalë dot të parandalojë ngjarjen e rëndë. Enkeleda ishte pajisur me urdhër mbrojtje, pasi kishte pasur konflikte me kunatin edhe herë të tjera. Ajo kishte të shoqin, Eltonin, në burg, i cili i kishte lënë porosi të vëllait (autorit) t’i ruante gruan dhe ky besohet të ketë qenë shkaku i konflikteve.





