LUSHNJE, 14 prill 2013- Zbardhet ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e së premtes në xhaminë e fshatit Dushk të Lushnjës, ku u pre me thikë në fyt besimtari 86-vjeçar, Shemshir Muça. Pas hetimeve intensive, policia e Lushnjës ka mundur të identifikojë dhe të vërë në pranga autorin e krimit. Bëhet fjalë për 38-vjeçarin Arjan Alla, i cili akuzohet për “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Burime zyrtare nga komisariati i Policisë së Lushnjës bëjnë me dije se Alla, baba i dy fëmijëve e vrau të moshuarin brenda në xhami, pas një sherri banal. Ndërkohë, mësohet se 38-vjeçari nga fshati Dushk vuante prej kohësh nga probleme mendore dhe nuk kurohej. Sipas hetuesve të çështjes, Arjan Alla e ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa ka treguar me detaje se përse e theri me thikë në fyt bashkëfshatarin e tij. Ndërkohë, djali i viktimës, Bilbil Muça, dje kërkoi dënimin maksimal të vrasësit të babait të tij. 

ARRESTIMI

Mbrëmë rreth orës 20:30, policia e Lushnjës arrestoi në banesën e tij Arjan Allën, pasi akuzohet për vrasjen e bashkëfshatarit të tij, Shemshir Muça. Pas dëshmive të marra nga personat që faleshin në xhaminë e fshatit Dushk dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, blutë zbuluan se besimtari mysliman Shemshir Muça u ekzekutua nga 38-vjeçari Alla. Gjatë marrjes në pyetje, Alla ka pranuar se ishte ai që goditi me thikë në fyt 86-vjeçarin. “Unë jam besimtar dhe shkoj e falem për çdo ditë në xhaminë e fshatit. Të premten pasi mbaruam ritin e faljes u zura me Muçën. Unë i thashë atij se nuk je besimtar, ndaj u zumë dhe e vrava”, ka thënë Alla. Policia sqaron se 38-vjeçari (ka qenë 15 vjet në emigracion në Greqi) i kishte thënë viktimës se ti vjen në xhami se ky krushkun myfti dhe se nuk besonte në Zot. Ndërsa kanë debatuar ashpër, i sëmuri mendor ka nxjerrë thikën që mbante me vete dhe e ka prerë në fyt të moshuarin. Ky i fundit u varros pasditen e djeshme në varrezat e fshatit Dushk. Në një intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare”, djali i vogël i viktimës u shpreh se drejtësia duhet ta dënojë maksimalisht vrasësin e të atit. 
 

Babai juaj u vra në xhaminë e fshatit. Dini gjë si ndodhi ngjarja?

E kisha baba dhe doja të jepte frymën e fundit të shpirtit të tij bujar dhe të pastër mbi gjoksin tim. Ishte ora 15:00 e së premtes dhe unë bashkë me të po dëgjonim lajmet në televizor. E kishim zakon që lajmet i ndiqnim bashkë dhe ai më shpjegonte disa gjëra rreth politikës e probleme të tjera, pasi unë kam shumë pak muaj kam që kam ardhur nga Greqia ku kam jetuar me familjen për 20 vjet. Pasi mbaruan lajmet, im atë iku në xhami për të kryer ritin fetar. Ishte besimtar i mirë dhe nuk i neglizhonte ritet. Ai falej pesë herë në ditë në xhami. 
 

Po më pas çfarë ndodhi, si e morët vesh vrasjen e tij?

Babai im ishte sëmurë nga prostatë. Falej në orën 15:30 në xhami dhe kthehej sepse bënte kurën për sëmundjen që kishte. Kthehej në shtëpi para orës 16:30 se duhej të pinte ilaçet. Ai s’po kthehej, ndaj dola nga banesa dhe u nisa për tek xhamia. Rrugës bashkëfshatarë të mi më thanë se babain tim e kishin therur. 
 

Keni pasur hasmëri apo ndonjë grindje tjetër këtu në fshat?

Absolutisht jo. Babai rriti dhe edukoi 9 fëmijë, 5 vajza e 4 djem. As ai dhe as ne fëmijët e tij nuk kemi bërë sherr, nuk jemi grindur me njeri. 
 

Cili është apeli juaj pas ngjarjes?

Babai im nuk vdiq në një aksident rrugor, nuk vdiq nga sëmundja, nuk vdiq nga diçka tjetër. Tim atë e therën në shtëpinë e Zotit, ndaj organet e drejtësisë të dënojnë maksimalisht vrasësin. Babai im nuk i ka prishur qejfin e zemrën askujt.