Berat, 6 gusht 2014  – Katër muaj pasi kishte dalë nga burgu se tentoi të vriste të vëllain duke i hedhur një granatë për pronësi, Tomor Zeqo i rikthehet qelisë për vrasjen e gruas së tij. Ai është arrestuar disa momente pas krimit, por ka mohuar t’ia ketë dhënë ai fostoksinën gruas që kishte masakruar me mjete të forta dhe thikë. 

Burime të Policisë bënë të ditur se në tavolinën e banesës ku jetonte çifti janë gjetur dy gota verë. Autori i masakrës ka qenë në gjendje të dehur pasi kishte konsumuar sasi të madhe alkooli, ndërsa ai fillimisht ka tentuar të mos e pranojë krimin. Ai ka dashur ta kamuflojë të gjithë krimin e rëndë si një vetëhelmim të saj, pa menduar se në trupin e saj do të kryhej një akt ekspertimi që do të vërente edhe plagët e shumta të marra. 

“Nuk mbaj mend se çfarë kam bërë pasi kam qenë i dehur. Mbaj mend që kam ushtruar dhunë ndaj gruas, por nuk ia kam dhënë unë fostoksinën. Qëkur kam dalë nga burgu kam qenë në depresion pasi unë nuk shkoja mirë me gruan time. Kishim sherre të vazhdueshme për shkak të xhelozisë sime ndaj saj”. Kështu është shprehur në polici 46-vjeçari i arrestuar për krimin e rëndë ndaj nënës së fëmijëve të tij. Sipas burimeve, Tomor Zeqo ka fituar pension invaliditeti pasi ai çalon nga njëra këmbë, raporton "Panorama". 

Ai është dënuar me 7 vjet burg për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë” ndaj vëllait të tij, Andon Zeqo. Grindja ndërmjet dy vëllezërve se cili do të merrte shtëpinë e nënës së moshuar, për pak sa nuk përfundoi në tragjedi. Pas një konflikti disaditor, Tomori i hodhi një granatë vëllait të tij, Andon Zeqo, por përfundoi vetë i lënduar. Dy vëllezërit u takuan te hyrja e pallatit të nënës së tyre, e cila jetonte e vetme, në të njëjtin qytet me djemtë e saj të martuar. Shpërthimi i granatës terrorizoi edhe banorët e pallatit, të cilët lajmëruan uniformat blu. Babai i dy fëmijëve ishte në konflikt me të vëllain 40-vjeçar, se cili prej tyre do të merrte në kujdestari nënën 75-vjeçare, Lutfije Zeqo, e për rrjedhojë edhe shtëpinë e saj. Nëna e dy djemve jetonte në lagjen “18 Tetori” të qytetit të Urës Vajgurore, në katin e tretë të një pallati.

/gazeta "Panorama"/