Një dyshe djemsh merr drejtimin e emisionit investigativ “Fiks Fare” në “Top Channel”. Pas largimit të Saimir Kodrës, edhe Gent Pjetri (Doktori) ka mbyllur ciklin e tij të këtij formati me dyshen që u krijua me Fiori Dardhën.
Pasuesit janë përzgjedhur me audicion, dhe ata janë dy aktorët e talentuar, Devis Muka dhe Dorian Ramaliu, të cilët u panë të kombinonin me batutat e tyre, në formatin “Pa limit” të programit “E diell”. Kimia artistike e dy shokëve në jetë ka bërë që të fitojnë në garën për drejtues të “Fiks Fare”, ku morën pjesë aktorë dhe gazetarë të njohur.
Për t’i njohur më shumë moderatorët e rinj të programit investigativ të mbrëmjes, gazeta “Panorama” sjell rrëfimin e tyre para premierës televizive më 5 shtator.
Ju kemi parë shumë aktivë në “Pa limit” të “Top Channel”. Ia njihnit vetes talentin e zhurmës dhe interaktivitetit në ekran, apo ky format ju zhveshi nga serioziteti?
Devis & Dori: Kështu kemi qenë që në maternitet, të dy psikopatë. E njohim mirë njëri-tjetrin nga brenda dhe nga jashtë.
Si po i përjetoni përgatitjet për të moderuar “Fiks Fare”? Është formati që bën fiks për ju?
Devis & Dori: Të dy kemi ëndërruar të bëjmë jetën e Erion Veliajt. Të shkojmë nëpër çerdhe, kopshte, rrugë, kanale e maternitete. Por kjo ëndërr nuk u realizua, pasi Bashkia nuk hap audicione, ndërsa “Fiks Fare” po.
Çfarë do të bëni ndryshe nga Gent Pjetri dhe Fiori Dardha?
“Fiks fare” do të jetë më fiks se ç’ka qenë, pasi do të vijë krejt ndryshe nga si ka qenë më parë. Ne do të përpiqemi të jemi po aq fiks sa jemi fiks në jetën reale.
Një intervistë që keni dhënë së fundi në “In Tv” e dëshmoi më shumë kombinimin tuaj si një dyshe djemsh, duke iu referuar batutave që shkëmbenit. Jeni kaq argëtues edhe në tavolina me miq, pra kur s’jeni para kamerave?
Sipas astrologes Meri Gjini, kombinimi i shenjave tona dhe momenti që mami me babin tonë vendosën të na sillnin në jetë, pati një ndikim në tipat tanë. Faleminderit mami dhe babi që nuk patët televizor, por bëtë fëmijë!
Në fund të asaj interviste njoftuat publikun se do të jeni sërish në “Top Channel”. Kjo do të thotë që keni qenë në dijeni më parë që do ta merrnit ju drejtimin e “Fiks Fare?
Jo, në fakt s’e kishim idenë fare. Por, pasi u hapën audicionet në “Top Channel”, ne shkuam për ta provuar, edhe pse ishin 10 çifte shumë të forta. Por vendosën të zgjidhnin më të shëmtuarit, por më të mirët.
E keni njohur më parë drejtorin e programit, Filip Çakulin?
Jo, nuk e njihnim më parë Filipin.
Pse ju zgjodhi?Parashikoni ditë të mira apo të vështira gjatë punës me të?
Na zgjodhi pasi nuhati fiks në kohë. Ne e shikojmë si babanë tonë që ta fut me shpullë kur të dojë, por të jep edhe lekë për të dalë me shoqet.
Velinat janë shoqërueset tuaja çdo mbrëmje, si duhet të jenë ato perfektet?
Devis & Dori: Velinat i zgjedh një komision i posaçëm. Këtë sezon do të jenë dy velinat e së premtes, Anisa & Brisi.
Pozicioni është joshës, po paga juaj është e tillë? Sa do të paguheni për këtë punë të përditshme dhe intensive në televizion?
Për rrogën dhe dashnoret nuk pyetet. Por një gjë është e sigurt, që kur je në “Top Channel” nuk zhgënjehesh kurrë.
Nga ana tjetër do të keni rivalë Saimir Kodrën dhe Gentian Zenelajn në “Tv Klan”. Cilat janë pikat e forta të dyshes suaj për t’i sfiduar?
Ne nuk kemi rivalë, thjesht kolegë në një televizion tjetër. Dhe të dy i kemi miq. Do të përpiqemi të jemi fiks për hallet dhe problemet e vendit tonë.
Ndërkohë në Itali, formati i famshëm investigativ “Striscia la notizia” do të drejtohet nga dy femra seksi: Michelle Hunziker dhe Belen Rodriguez. Si mund t’i lini pas ato?
Që tani kemi filluar sfidën. Po bëjmë gjoksin, buzët, hundën, veshët. Ato janë rivalet tona të vërteta. Kujdes goca, Fiksi po fillon!
Jeta juaj lundron mes filmit, teatrit dhe televizionit. I trembeni faktit se puna do t’ju rrëmbejë duke ju larguar totalisht nga arti?
Jo, pasi “Fiksi” për këtë na mori, pasi jemi aktorë shumë të mirë.
D&D: Beqarët mund të bëjnë namin, por burrat e martuar të fikin derën!
Meqë një nga përshëndetjet tuaja në ekran ka qenë duke gjuajtur njëri-tjetrin me shpulla, jeni aq burra sa të putheni në buzë në emisionin e parë të “Fiks Fare”?
Devis & Dori: Në datën 5 shtator do ta shikoni. Por nuk po gjejmë akoma puthjen.
Njëri beqar dhe tjetri i martuar e me fëmijë, kush është Dori jashtë televizionit dhe kush është Devisi?
Dori & Devisi: Unë si Dor jam njeri i dashur, manjak, depresiv dhe kam frikë nga qentë e rrugës. Dhe unë si Devi bëj të njëjtën jetë të Dorit, vetëm se marr dhe fëmijën me vete.
Femrat i vardisen më shumë një beqari si Dori, apo një burri të martuar si Devisi?
Devis & Dori: Beqarët mund të bëjnë namin, por burrat e martuar të fikin derën!
Jeni tipat e djemve që mburreni me përmasat tuaja fizike, dhe me çfarë konkretisht?
Devis & Dori: Mua si Dor më pëlqen syri i djathtë. Ndërsa mua si Dev më pëlqen mëlçia, që e kam të pastër.
Alkooli do të zërë vend në menynë tuaj ditore para dhe pas “Fiks Fare”?
Devis & Dori: Të dy jemi tipa të dhallës, mundësisht me akull dhe me limon.
Politikanët apo zyrtarët e lartë do të jenë në qendër të debateve tuaja të mbrëmjeve. Do të jeni në pozitë apo në opozitë?
Devis & Dori: Gjithmonë opozitë, madje do t’i bëjmë opozitë edhe opozitës.
Sharja më e fortë ndaj qeverisë që mund të dëgjojmë nga goja e secilit?
Nuk do t’i shajmë, do t’i godasim me dashurinë tonë. Shihemi në datën 5 dhe mos harroni: Mos i ndani hallet me komshiun, ndajini me “Fiks Fare”.
Marrë nga "Panorama"





