17 nëntor 2015 – Pamjet e gruas shtatzënë që varej në njërën prej dritareve të teatrit në momentin e sulmit barbar në Paris, të kapura nga gazetari francez, qarkulluan në mbarë botën. Fati ishte në anën e gruas, pasi aty u gjend një person i cili po konsiderohet si hero pasi i shpëtoi jetën asaj në mes të të shtënave ku çdokush përpiqej të largohej nga vendi i tmerrit për të shpëtuar kokën.
Djali i quajtur Sebastien shpjegoi se si shkoi te zona e ballkonit pasi nisën të shtënat.
“Përpara kisha dy dritare. Në njërën ishe varur një grua shtatzënë, ajo po i lutej njerëzve që ta prisnin poshtë nëse binte, qe një kaos i vërtetë. Shkova te dritarja tjetër dhe u zgjata. Isha 15 metra nga toka dhe prita pesë minuta dhe më pas gruaja shtatzënë, e cila nuk po i mbante dot më krahët, më kërkoi ta ndihmoja që ta fusja brenda. Dhe këtë bëra. Nuk e di ku vajti më pas. Unë u ktheva në vendin tim për t’u fshehur”.
/portali DurresLajm/