Klodi Lesi ka rrëfyer në polici si e vrau bashkëshorten dhe ditët në arrati, së bashku me djalin 4 vjeç. Për 18 ditë dhe net ai u përpoq të gjejë një rrugëdalje nga Greqia, por kjo ishte e pamundur për shkak të kontrolleve të shumta.
“Ditën e parë fjetëm në një tendë në mal pranë një automjeti të braktisur. Djali më pyeste vazhdimisht ku po shkojmë dhe unë i thashë u zura me mamin dhe do ikim në Shqipëri. Të nesërmen hyra në një vilë ku nuk kishte asnjeri. Qëndruam atje. Hëngrëm mjaltë, konserva dhe çfarë gjetëm. Aty mora batanije për të mbuluar Fivon.
Disa net të tjera fjetëm në rulotë dhe në tenda në Psahudia. Atje kam gjetur pak ushqim dhe hëngrëm. Problemi im më i madh ishte ushqimi dhe jo gjumi. Fivo grindej kur e merrte uria. Një ditë vodha një pulë, një ditë tjetër një lepur. E thera, e poqëm në pyll dhe e hëngrëm. Gjeta edhe fruta dhe i hëngrëm bashkë me djalin”, është shprehur ai.
Shqiptari ka treguar gjithashtu se qëllimi i tij ishte të kalonte kufirin për në Shqipëri por nuk ja arriti dot, pasi policia kishte ngritur shumë kontrolle.
“Pasi vrava Lelën mora Fivon dhe e vendosa përpara në motor. U drejtova për në Psahudia. Qëllimi ishte që të mbërrija në Selanik dhe prej andej me ndonjë të njohur të mbërrija në Shqipëri. Kur arrita në Psahudia telefonova një mikun tim që jetonte në Ormilia, por kishte ikur në Shqipëri. E pyeta që të më gjente një mënyrë të shkoja në Selanik, por nuk mundi të më gjente. Pastaj mora një taksist që e njihja, por në atë momente kishte një tjetër punë dhe nuk mund të vinte të më merrte. U përpoqa të ikja me këmbë drejt Selanikut, por kishte gjithandej policë. E kam menduar shumë që të dorëzohesha, por nuk e bëra. Celularin e hodha që atë ditë për të mos më identifikuar”, tregon ai.
Klodi Lesi u arrestua pranë banesës, ku masakroi me thikë bashkëshorten greke në Halkidiki.