Lorik Cana prej pak muajsh ka lënë zyrtarisht futbollin. Jeta e tij e re, pas një karriere të mbyllur përpara kohe, është zhvendosur në Tiranë. Ish-kapiteni i kombëtares sonë ka bërë një rrëfim ndryshe për programin “Exclusive” në Top Channel. Në këtë intervistë, Cana ka treguar momentet e vështira kur ka sfiduar edhe shëndetin e tij vetëm për të luajtur në Europian, si dhe shumë gjëra të tjera. Për më tepër lexoni rrëfimin e kapitenit legjendar.
"Çdo gjeneratë e ka atë ciklin e vetë. Njerëzit kanë akoma dashuri dhe këtë e tregojnë ende. Gjithë kohës jam në komunikim me njerëzit", thotë Cana.
Një ide e menduar prej rreth 4 vitesh, ose më mirë në momentin që vendosi të lë futbollin. Lorik Cana thuajse si të gjithë futbollistët më të njohur në botë, vendosi të hap një fondacion i cili do të lidhej me futbollin, por jo me të rriturit, por fëmijët, në kërkim të talenteve, që në Shqipërinë e vogël, janë të rrallë, Sipas projektit fillestar do të ndërtohen disa fusha sportive. të gjitha me paratë e vetë Lorikut. të quajtura Kazal, modeli i tyre është huazuar nga një fondacion hungarez për t’u aplikuar në disa kopshte të qyteteve kryesore të Shqipërisë por edhe në Kosovë.
“Më ka lindur si ide 4 vite më parë. Mendoja t’i jepja rëndësi atyre gjërave të rëndësishme që mungojnë në vendin e tonë. Mundohem të jap kontributin tim duke bërë gjëra të cilat sensibilizojnë dhe njerëzit dhe i bëjnë të kuptojnë se sa i rëndësishëm është sporti dhe kultura. Unë e dua shumë këtë pjesën e trashëgimisë kulturore”, shprehet Cana.
Lorik Cana prej kohësh është i pajisur deri me licencën A të UEFA-s, një licencë trajneri që ndoshta nuk i jep shansin të drejtojë një skuadër përfaqësuese apo një klub të kategorive të para, megjithatë kjo për Lorikun është një zgjedhje. Ai mund të konsiderohet ndër të pakta raste për të mos thënë i pari që pavarësisht një karriere shumë të mirë, nuk synon të drejtoj një ekip kryesor.
“Unë nuk jam nga ata lojtarë që e dija më parë se kur do ta lija karrierën dhe ndoshta të mendoja për t’u bërë trajner. Megjithatë mendoj dhe kam dëshirë që të bëhem një drejtues klubi diku jashtë, vitin e ardhshëm. Kjo nuk do të thotë që nuk do të vazhdoj të kontribuoj për vendin tim, madje kjo është edhe arsyeja e fondacionit. Me këtë projekt sigurisht që nuk mund të ndryshojmë realitetin të gjithë vendit, pro sigurisht prekim thelbin e problemit të saj. Sic e thash ajo pjesa e drejtuesit po më tërheq më tepër, ndoshta jashtë vendit në ato vende ku unë kam jetuar si Zvicra, Franca. Kam fat që nuk më duhet të gjej një vend për të punuar që ndoshta nuk më jep kënaqësi”, thotë ish-kapiteni i Kombëtares.
Kur mendon për të drejtuar një skuadër, Lorik Cana e ka një etalon dhe një njeri të cilin mundohet ta marrë si shembull. Bëhet fjalë për Igli Taren, drejtuesi i ish-skuadrës së tij të serisë A, Lazios, që prej disa vitesh konsiderohet si drejtorët sportiv më të suksesshëm në Itali.
“Ne në botën e sportit kemi shumë pak njerëz që kanë arritur në nivele të larta. Kemi trajner që kanë arritur të bëjnë emër edhe në arenën ndërkombëtare siç është Besnik Hasi, por në pjesën drejtuese udhërrëfyesi dhe që ka bërë emër në spektrin drejtues është Igli. Ai jo vetëm është një drejtor por është edhe i suksesshëm. Arritjet e tij të jashtëzakonshme na bëjnë mirë të gjithëve ne. Kjo sepse lobi shqiptar në pjesën e sportit është shumë i vogël për të mos thënë inekzistent. Këta njerëz duhet t’i falenderojmë për këtë që kanë bërë dhe që sigurisht janë shndërruar në një shembull për t’u ndjekur”, shprehet Cana.
“I dashur Lorik. E mban mend kur kemi qenë në zyrën time dhe bënim bisedë për të ardhmen tënde dhe një nga dëshirat e tua ishte të bëjë profesionin tim. E kishe me mëdyshje, por tashmë të uroj suksese. Dua të të shohë në nivele shumë të larta edhe në arenën ndërkombëtare. Një ditë të kem një nga konkurrentët e mi më të denjë të futbollit”, shprehet Igli Tare për Lorik Canën.
Jeta e Lorikut në Tiranë, nuk ndryshon nga ajo e shumicës prej nesh. megjithëse në një lagje të mirë të kryeqytetit, ai jeton në një pallat, me shumë familje të tjera.
“Këto janë faturat e mija të ujit që duhet t’i paguaj. Duken qartë që janë disa nuk janë shumë, kurse këto janë faturat e pallatit. Bashkëjetesa nëpër pallate në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar, shpresojmë që t’i paguajnë edhe këto se përndryshe do të na ndalin edhe energjinë elektrike e skam nga të dal me familjen”, tregon Loriku.
Në Tiranë ai jeton me bashkëshorten italiane Monica dhe djalin Bojken. Historia me vajzën nga Roma e ka bërë Lorikun të ndryshojë shumë nga ato ide që kishte në fillim për krijimin e një familjeje krejtësisht shqiptare.
“Jemi takuar për herë të parë pas 2 muajsh që kisha shkuar në Romë. Herën e parë nuk mundëm me biseduar sepse ndryshuam vetëm numrat e telefonit më pas, pas kombëtares u takuam. Kisha të bëja me një person që nuk e dinte çfarë ndodhte me sportin. Ishte një vajzë që ishte e informuar jo mirë për ne nga mediat dhe opinioni dhe më pas mu desh t’i mësoja gjithçka për vendin tonë për kulturën. Megjithatë unë jam shumë i lidhur me familjen dhe ajo e di tashmë këtë gjë, për këtë arsye ka filluar të mësojë shqip ndërsa unë kam perfeksion italishten me Monikën





