ERSEKE – “Isha në shtëpi me vajzën. Isha akoma e veshur me rroba gjumi. Antoneta sapo ishte kthye nga shkolla, sepse çoi vajzën, mbesën time. Po bënte punët e shtëpisë, kur trokiti dera. Ishte Tosi. Unë ia hapa derën, ndërsa ai më tha se donte Netën se kishte për t’i thënë diçka me rëndësi. Nuk mu duk i tensionuar dhe tani nuk arrij ta besoj atë që ndodhi”. Kështu deklaroi dje në polici nëna e 33-vjeçares së vrarë, Mexhide Petriti. 80-vjeçarja është shprehur se Fatos Kapllani e donte shumë vajzën e saj, ndërsa mbesën e trajtonte si të ishte vajza e tij.

“Ai hyri direkt tek dhoma e gjumit. Atje shkoi dhe ime bijë dhe më pas dëgjova që bërtisnin, flisnin për gjëra që i takojnë një çifti. Në fillim u shqetësova, shkova deri tek dera e dhomës së gjumit, por ishte e mbyllur. Nuk guxova ta hapja, ndaj u ktheva sërish në kuzhinë. Prisja me ankth, pasi të bërtiturat dëgjoheshin deri në qiell. Tosi i kërkonte të festonte Shën Valentinin, por ime bijë nuk donte se priste vajzën dhe kishte punë të tjera. Nuk zgjati shumë debati, afro 10 minuta, dhe dëgjova të shtëna. U tmerrova, po më dilte zemra nga vendi”, ka thënë e moshuara. 

Ajo ka treguar se fillimisht dëgjoi breshëri, ndërsa më pas vetëm një të shtënë arme. “Pas krismave hapa derën. I pashë të dy të mbytur në gjak. Dola jashtë si e çmendur, pa e ditur se ku. Fqinjët më morën, më sollën në vete e më lanë gjakun. Vajza ime iku para meje. E kam peng dhe nuk mund t’ia fal vetes. Mbase e kisha shpëtuar time bijë nga ai”, ka deklaruar nëna e viktimës.