Tiranë, 25 korrik 2014 – Vjedhja spektakolare e 600 milion lekëve nga Banka e Shqipërisë, nga vetë punonjësit e bankës, është një rast i paprecedent në historinë e institucionit të rëndësishëm financiar në vend.

Godina është objekt i rëndësisë së veçantë dhe ruhet 24 orë në 24 me një numër të konsideruar punonjësish policie, por kjo nuk i ka penguar dy punonjës të bankës, që në harkun kohor të 4 viteve të vjedhin 6 miliardë lekë të vjetra.

Dy punonjës të Bankës së Shqipërisë kanë dalë para gjykatës ditën e djeshme për vjedhjen e 600 milionë lekëve. Ata janë lënë në burg pa afat, ndërsa njëri ka pranuar vjedhjen, kurse punonjësja tjetër ka refuzuar të ketë bashkëpunuar.

Ardian Bitraj 45 vjeç, nga Çorovoda është personi i vënë nën akuzën e kësaj vjedhjeje, i cili mësohet se ka shërbyer në Bankën e Shqipërisë prej plot 21 vitesh. Bitraj, i cili drejtonte sektorin e parave stok mësohet se i ka nxjerrë paratë nga objekti duke i mbajtur në trup, ndërsa në dijeni të vjedhjes ka qenë edhe kolegia e tij, Mimoza Bruzia, 42 vjeç.

Vetë Bitraj ka implikuar kolegen e tij, e cila ka ndihmuar në realizimin e fshehjes së gjurmëve të vjedhjeve, ndërkohë mësohet se Bitraj ka ndërhyrë në shtyrjen e kohës së auditit me idenë se do t`i kthente paratë e vjedhura.

Ai ka treguar në gjykatë se paratë i ka lënë në kazinotë e lagjes, por prokuroria është skeptike në lidhje me dëshminë e tij. As Banka, po as prokuroria nuk kanë pranuar të shpjegojnë nëse paratë e vjedhura janë para që kishin për t`u asgjësuar apo janë para që kishin për t’u hedhur në treg.

Dje, masa e sigurisë për shtetasit Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia u bë në sekret të plotë nga Gjykata e Tiranës, për të fshehur përmasat e këtij superskandali të ndodhur në bankën kryesore dhe më të rëndësishmen në vend.

Akuzat që rëndojnë mbi dy punonjësit janë “Shpërdorim detyre dhe “Moskallëzim krimi”. Gjithçka u zbulua falë një auditi të brendshëm të Bankës së Shqipërisë, që u zhvillua ditën e hënë, ku u zbulua se disa nga arkat e parave ishin prekur dhe brenda tyre nuk kishte para, por libra. 

Nuk dihet ende nëse paratë e vjedhura janë paratë që kishin për t`u hedhur në qarkullim apo paratë e stokut. Nëse bëhet fjalë për vjedhje parash, të kësaj shume që ishin për t`u hedhur në treg, atëherë skandali është i përmasave të pallogaritshme, ndërsa nëse bëhet fjalë për para që kanë dalë nga qarkullimi dhe kanë patur për t`u asgjësuar, dëmi është për të mos u marrë në konsideratë.

“Përfitova nga fakti që shefi ishte i ri dhe nuk kuptonte vjedhjen” 

“Kam katër vjet që i marr lekët nga arka stok. I tërhiqja të gjitha prerje 50-she, i fshihja në trup dhe disa herë përfitova nga fakti që shefi im ishte i ri dhe nuk e kishte idenë se çfarë bëhej aty. Kartëmonedhat vinin nga Zvicra të paketuara në kuti, me peshë fikse. Vetëm 1 në 40 kuti hapej për t’u kontrolluar. Pas përfundimit të procedurave, merrja në punë libra, me të cilët zëvendësoja paratë brenda në kuti, për të arritur të njëjtën peshë, me shpresën se një ditë do t’i zëvendësoja. Ka pasur raste kur kam vjedhur edhe 10 milionë lekë të reja për një ditë, duke i fshehur në rroba brenda trupit. Të gjitha paratë i kam harxhuar në kumar, ditë pas dite, për 4 vite rresht”,– ka rrëfyer 45 vjeçri.

Në dëshminë e tij, 45-vjeçari ka përfshirë edhe kolegen e vet, të punësuar në të njëjtin sektor, duke thënë se ajo para disa muajsh kishte kuptuar që në arka mungonin 400 milionë lekë e i kishte kërkuar llogari se ku ndodheshin shumat, por, thotë ai: “Unë i premtova se do t’i ktheja. Ka pasur ditë që unë dilja nga sektori me lekë të fshehura në trup, që kapnin shifrën e 10 milionë lekëve dhe askush s’më kuptonte. Të gjitha lekët i kam lënë në lojërat e fatit, që janë poshtë shtëpisë sime. Madje, te një kazino jam borxh 50 milionë lekë të vjetra”.

Megjithatë, për organin e akuzës justifikimi i tij duket i dyshimtë dhe për këtë arsye u është dërguar shkresë të gjitha bankave të nivelit të dytë apo dhe ZRPP-ve për të identifikuar llogari bankare apo pasuri të paluajtshme në emër  të tij, familjarëve apo të afërmve. Ndërkohë, 42-vjeçarja Mimoza Bruzia ka mohuar të ketë lidhje e të ketë bashkëpunuar me 45-vjeçarin Bitraj. 

Dy ditë më parë Banka e Shqipërisë hodhi një njoftim në faqen zyrtare të saj ku lajmëronte se kishte bërë një kallëzim penal në lidhje me dy punonjës.

“Më datë 21 korrik 2014 Banka e Shqipërisë ka bërë kallëzim penal për shtetasit A.B dhe M.B, punonjës në Departamentin e Emisionit. Këta shtetas akuzohen për përvetësimin e vlerave monetare në ngarkim. Materialet dhe të gjitha provat e tjera në ngarkim të të kallëzuarve i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal dhe po vijon me intensitet hetimet. Në përmbushje të detyrimit ligjor të ruajtjes së sekretit shtetëror dhe të sekretit hetimor informacioni i detajuar rreth ngjarjes është i klasifikuar”,- thuhej në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.         

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/