ITALI – Sajmir Thekna, të cilin e shihni në foto, ka pranuar para gjykatësve se ka qenë ai që ka hedhur acid mbi turmën, natën e 22 qershorit të vitit të kaluar, gjatë një koncerti në Caltagirone. Burime nga gjykata italiane kanë pohuar se ndërsa shqiptari e ka pranuar fajësinë e tij, dy vëllezërit Piazza, të arrestuar bashkë me të, kanë mohuar ta kenë bërë këtë veprim. Mbi tre të rinjtë rëndon akuza e plagosjes së rëndë.

Hetimet e zhvilluara nga policia e Caltagirones çuan në arrestimin e tre të rinjve të dielën që kaloi. Së bashku me të riun shqiptar janë arrestuar edhe dy vëllezërit italianë, Filippo e Francesco Piazza, të cilët ende nuk e kanë pranuar veprën penale për të cilën akuzohen. Sipas burimeve nga grupi hetimor, dy vëllezërit kanë dhënë shumë detaje që kundërshtojnë njëra-tjetrën.

Nga veprimi i shqiptarit dhe dy italianëve mbeten të lënduar rëndë më shumë se 30 të rinj. Familja e shqiptarit Sajmir Thekna, e tronditur nga veprimi i djalit të tyre, dëshiron të kërkojë falje publike për veprimin e tij.