Profesioni i taksistit në çdo vend është tejet sfidues, duke përfshirë përballjen e përditshme me njerëzit dhe kontaktin në terren, që shpesh e vështirëson punën. 

Ariz Osmani nga Tirana, një taksist me përvojë të gjatë, ndan historinë e tij dhe sfidat që përballet çdo ditë, ndërkohë që nxit të rinjtë të zgjedhin këtë profesion, duke e konsideruar atë fitimprurës dhe të qëndrueshëm.

Ariz Osmani e filloi karrierën e tij si taksist shumë vite më parë dhe sot makina është bërë pjesë e pandashme e jetës së tij.

“Kam një jetë taksist, makina është gjithçka për mua,” thotë ai, duke reflektuar përkushtimin dhe pasionin e tij për këtë profesion.

Ai e konsideron taksistin një profesion fitimprurës, por thekson se durimi është arma kryesore që duhet të zotërojë çdo taksist. “Durimi është arma ime kryesore,” shprehet Osmani.

Puna e një taksisti është e mbushur me sfida të panumërta. Rrugët e vështira, veçanërisht ato që çojnë në spitale, janë ndër më të vështirat që përballet.

Osmani thekson se trafiku i rënduar në Tiranë është një tjetër sfidë që rrit durimin e çdo shoferi. “Trafiku në Tiranë të rrit durimin,” thotë ai, duke përshkruar vështirësitë e përditshme që has në rrugët e kryeqytetit.