Është vetëm 16 vjeç, por me shumë punë dhe sakrificë ia doli të shënojë golin e parë si profesionist në edicionin 2023-2024.
Ergis Arifi e nisi futbollin ashtu sikurse shumica e futbollistëve të mëdhenj, në lagjet e qytetit të tij, duke ëndërruar që një ditë të bëhet profesionist në këtë lojë.
Ka besuar se durimi duhet ta shoqërojë gjithnjë njeriun dhe se do të vinte edhe dita e tij. Tashmë është një futbollist dhe po afirmohet te Teuta dhe pjesë e ekipit kombëtar U-17.
Nga hapat e parë në futboll, tek idhulli De Bryjne, suksesi i golit të parë, mbështetja e familjes, Arifi rrëfen gjithçka.
Është falënderues për besimin që i kanë dhënë dhe premton shumë për të ardhmen në futbollin shqiptar.
Me shumë punë nga ana juaj, ia dolët që të shënonit golin e parë në karrierë si profesionist. Jeni i lumtur dhe kujt ia dedikoni këtë gol?
Jam shumë i lumtur sigurisht. Është arritja ime e parë madhore në futboll dhe ia dedikoj pa diskutim familjes sime, por sigurisht edhe të gjithë shokëve të mi të ekipit. Pa ta nuk do t’ia kisha dalë të shënoja këtë gol të veçantë. Kanë qenë mbështetja ime në çdo ndeshje.
Kur shënuat ndaj Skënderbeut, cila ishte gjëja e parë që ju erdhi në mendje?
Realisht nuk kam menduar asgjë të veçantë. Më përfshinë emocionet dhe ishte një gëzim për mua që jam në gjendje të ndihmoj ekipin dhe shpresoj se do të ndihmoj për të fituar sa më shumë ndeshje të jetë e mundur, dhe është bukur që mund ta bëj këtë, veçanërisht në një ndeshje si ajo e së martës. Gëzimi dhe çlirimi ishin emocione që më përshkuan.
Kush ju ka mbështetur më shumë?
Në fillim ka qenë shumë e vështirë. Nuk mund të them që nuk është e njëjta gjë tani, por duket se gjërat kanë ndryshuar për mirë. Por unë, dua të falënderoj familjen që ka qenë mbështetja më e madhe imja. Ata më kanë ndjekur kudo, më kanë dhënë shtysë, kanë besuar tek unë në çdo moment se mund të bëhesha një ditë një futbollist i mirë.
Sa ka ndikuar futbolli te ju, në çdo aspekt të jetës? Ju kanë parë ndryshe shokët e klasës?
Sigurisht që ka ndikuar. E para, është e vështirë ta mendoj jetën time pa futbollin. Është një nga pjesët më të bukura të jetës sime, nuk e përshkruaj dot me fjalë se çfarë emocionesh kam kur zbres në fushë të luaj. Të luaj futboll ka ndikuar për mirë në jetën time, sidomos në aspektin shoqëror. Numëroj më shumë shokë e shoqe, të cilët nuk më shohin si Ergisi futbollist, por si shok. Dhe jam shumë i lumtur për këtë gjë. Shokët dhe shoqet e klasës më kanë uruar dhe janë gëzuar shumë për mua.
Ju jeni pjesë e Kombëtares shqiptare të moshave. Çfarë domethënie ka për ju? Çfarë emocionesh ju jep të luani për Shqipërinë?
Ekipi kombëtar është një ëndërr për çdo futbollist. Unë tashmë e kam bërë realitet këtë ëndërr te grupmosha U-17. Sa herë vesh fanellën kuqezi, emocionet janë të papërshkrueshme. Fanella më motivon të punoj më shumë dhe të ëndërroj që një ditë të vesh fanellën e Kombëtares A.
Cili është numri juaj i këmbës?
Numri im i këmbës është 43.
Cili është ushqimi juaj i preferuar?
Ushqimit nuk i bëj naze, por në veçanti më pëlqejnë makaronat.