Kombëtarja shqiptare nis zyrtarisht këtë të hënë përgatitjet për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Çekisë (Epet Arena, 11 tetor, ora 20:45) dhe Gjeorgjisë (“Mikheil Meskhi” 14 tetor, ora 18:00).
Në konferencën për mediat, Adrion Pajaziti, i cili është ftuar për herë të parë me Kombëtaren nga trajneri Silvinjo u shpreh i lumtur dhe shumë krenar që ka marrë ftesën për të qenë pjesë e ekipit në këtë grumbullim.
A është gati Pajaziti për Kombëtaren? – Besoj që jam shumë gati pasi jam në formë të mirë. Kam pasur një parasezon shumë të mirë me Fulham. Kam luajtur ndeshje dhe kam shënuar gola. Tani kam kaluar në huazim në Kroaci, jam në formë të mirë fizikisht dhe kam shumë besim tek vetja. Po të më jepet shansi, jam gati.
Pozicioni? – Jam mesfushor ofensiv. Kam luajtur edhe si 6-sh, 8-sh, por kudo që trajneri mendon që mund të bëj impakt, aty do të luaj.
Ku ishit dhe si reaguat kur morët ftesën nga Kombëtarja – Fola me mamin direkt kur mora vesh për ftesën dhe më pas me babin. Kanë qenë të gjithë të lumtur dhe krenar në atë moment.
A ndikoi dygolëshi me Zvicrën për ftesën? – Duhet të pyes trajnerin për të ditur arsyen pse më zgjodhi. Ka qenë një ndeshje e mirë jo vetëm nga unë por nga të gjithë lojtarët. Kur shënon dy gola sigurisht që është një moment i mirë dhe besoj se jo vetëm ajo ndeshje, por edhe formën që jam duke kaluar te klubi, besoj se kanë ndikuar.
Pajaziti, Demollari i ri? – E kam shikuar në Youtube. Është legjendë e Shqipërisë dhe ndihem mirë kur dëgjoj këto komplimente. Do të tentoj dhe unë të bëhem një legjendë si ai.
Idhulli në Kombëtare dhe në skenën ndërkombëtare – Në kombëtare më pëlqen si luan Asllani dhe Bajrami. Janë lojtarë teknikisht të mirë dhe mesfushorë si unë. Mund të kombinohemi mirë. Jashtë kombëtares kam ndjekur që i vogël Modriç, lojtar me cilësi shumë të mira.
Nga Shpresat te ekipi A, do të jetë e vështirë për t’u integruar? – Nuk do të jetë e lehtë, por jam gati. Kam besim te vetja, edhe çunat më kanë pritur dhe më kanë bërë të ndihem mirë. Mezi pres të nis stërvitjen.
Çfarë synon të arrish me Kombëtaren? – Dua që të tregoj veten dhe të marr sërish ftesën. Të jem lojtar i afirmuar në Kombëtare dhe në terma afatgjatë dua që të kualifikohemi në Botëror.