21 nëntor 2014 –  Një tifoz shqiptar mundi të ndërpriste një ndeshje historike futbolli, vetëm për të marrë një autograf mbi flamurin tonë kombëtar. Uliks Ademi (Bedhia) është ultrasi cërrikas, i cili jeton prej vitesh në qytetin e Monzës në Itali, teksa me atë gjest unik, entuziazmoi gjithë shqiptarët e pranishëm në Xhenova dhe miliona që e ndoqën përmes televizorit, duke ndërprerë për pak çaste takimin miqësor. Uliksi rrëfen gjithçka mes entuziazmit dhe emocioneve për ndjesitë e përjetuara në stadiumin “Luixhi Ferraris”. Ai tregon se hyrja në fushë ka qenë e planifikuar, ndërsa ka vuajtur për të gjetur një biletë:

“Në fakt kisha bërë një plan pesë ditë para ndeshjes. Bashkë me kushëririn tim, Taulant Bedhia, ramë dakord që do të shkonim patjetër në Xhenova dhe unë do të hyja në fushë. Ishim afro 30 tifozë shqiptarë nga Cërriku, që u nisëm drejt Xhenovës me autobus nga provinca e Lisonës në Monza, ku unë jetoj prej vitesh. Problemi më i madh ishte se unë nuk kisha mundur të siguroja një biletë për të hyrë në stadium. Gjatë rrugës për në stadium hasëm në një trafik të jashtëzakonshëm. Kjo na vonoi së tepërmi, aq sa dhe ndeshja kishte filluar kur ne arritëm të shkonim aty. Sapo mbërritëm në stadium, unë po flisja me rojet e sigurisë dhe u thashë se doja të hyja patjetër. Ata më thanë që ishte e pamundur pa biletë. Mirëpo, një shqiptar i gjendur aty kishte tri bileta dhe më fali një prej tyre. Nuk e di kush ishte dhe nga ishte, por dua ta falënderoj nga zemra për atë gjest që bëri. Ndonëse bileta nuk kishte të dhënat e mia si person, unë arrita të kaloja chek-in dhe hyra brenda. Për mua ishte hera e parë që shkoja për të ndjekur një ndeshje në stadiumet italiane. Ishte një atmosferë elektrizuese, të cilën e kam të vështirë ta përshkruaj me fjalë.” Më pas cërrikasi rrëfen aventurën në stadium: “Kam qenë edhe me fat, sepse vendi i biletës që më dhuruan, korrespondoi që ishte në shkallët që gjenden mbi tunelin ku zbresin lojtarët. Unë kisha një çantë shpine, në të cilën mbaja disa flamuj dhe një banderolë ku shkruhej: “Cërriku, Parisi i vogël”. Sendet që kisha me vete ia lashë një tifozi, i cili ishte me ne në autobus. Në atë moment ishte një episod loje, ku skuadra jonë kishte mundësinë e një goditjeje dënimi. Vëmendja e të gjithë stadiumit dhe rojeve të sigurisë gjithashtu ishte te topi. Shfrytëzova këtë moment për të kapërcyer rrethimin prej afro tre metrash të lartë dhe hyra direkt në fushë. Nuk më besohej që isha aty. Shkova drejt portierit Berisha për t’i marrë autograf, meqenëse ai ishte më pranë. I kërkova të më jepte një autograf mbi flamurin tonë kombëtar. Berisha më tha: “Të lutem vëlla, largohu se do të na penalizojnë”. Në fakt, Etritin e pengonin edhe dorashkat për të shkruar në flamur. Por, unë nuk mund të largohesha pa marrë autografin. Kapiteni Cana gjendej aty pranë. Vrapova nxitimthi drejt tij, duke iu përgjëruar: “Cana, të lutëm dua një autograf për djalin tim mbi flamur, përndryshe nuk dal nga stadiumi! Kam ardhur nga Cërriku, të lutem dua vetëm një autograf!”. Kapiteni kuqezi nuk ngurroi të ma realizonte ëndrrën, madje u përqafuam dhe ai më puthi. Kjo ka qenë gjëja më e bukur dhe emocionuese që kam përjetuar në jetën time. Jam ende i emocionuar tani që flasim. Rojet e sigurisë më shoqëruan drejt tunelit, por duke më përgëzuar. Njërit prej tyre i ngrita edhe dorën për ta përshëndetur. Ai më tha se kisha bërë gjënë më të bukur. Madje disa prej tyre bënë edhe foto me mua, duke shkëmbyer batuta të shumta. Kur dola jashtë, isha me vonesë dhe kërkoja autobusin për t’u rikthyer në shtëpi. Kishte një dyndje të paparë tifozësh. Takova disa shokë të mi cërrikas, të cilët kishin ardhur enkas nga Londra për të ndjekur ndeshjen. Është mallëngjyese kur takon miq e shokë shqiptarë në një vend të huaj. Brohorisnim “Cërriku! Cërriku!”. Qeshnim dhe qanim nga gëzimi për gjithë atë atmosferë të krijuar, por edhe për gjestin që bëra unë. Shumë tifozë të tjera kërkonin të bëja foto me ta. Ishte një lumturi dhe ngazëllim i veçantë. Na dukej sikur ndodheshim në Shqipëri, kishte gjithandej tifozë. E kam bërë të gjithë këtë gjest për djemtë e mi. Njëri prej të cilëve është 11 vjeç dhe është futbollist në ekipet e moshave në Monza. Por, një dedikim të veçantë kam për të gjithë bashkëkombësit e mi, veçanërisht ata të qytetit të Cërrikut, ku unë jam lindur dhe rritur. Një qytet të cilin ne e cilësojmë me humor si Parisi i vogël. Në mëngjes më mori në telefon një shqiptar nga Kosova. Nuk e di se ku ma kishte gjetur numrin, por gjithsesi më tha se donte të blinte flamurin tim, duke më ofruar një shumë prej 10 mijë eurosh. Nuk mund ta bëj kurrsesi këtë, ndaj i thashë: “Kur të blihet flamuri i Ismail Qemalit, atëherë do të blihet dhe flamuri i Uliks Ademit (Bedhia) me firmën e Lorik Canës”. Uliks Ademi (Bedhia) është bërë edhe herë të tjera protagonist i këtij invadimi paqësor në aktivitetet sportive. Uliksi tregon se pak kohë më parë ka takuar edhe pilotin e famshëm Rubens Barrikelon në pistën e Monzës. “Po, kam zbritur në pistë, madje kam dhe një foto me të, teksa isha bashkë me djalin tim”, tregon Uliksi.

Admirimi i tij për heronjtë e Kombëtares sonë është i jashtëzakonshëm. Tifozi cërrikas, i cili prej vitesh jeton në Itali, pohon se ka gjithashtu dhe një fanellë të Migjen Bashës, të cilën e ruan me fanatizëm. Ndërkohë, pas episodit në Xhenova, i cili elektrizoi të gjithë shqiptarët, atmosferë ishte e tillë edhe në qytetin e Cërrikut. Në mjediset e bareve dhe të qytetit, por më së shumti edhe në rrjetet sociale, dje është përfolur “heroizmi” i Uliksit, i cili bëri të lumtur të gjithë sportdashësit e Kombë-tares shqiptare me atë gjest. Një ndër fotot unike, që aktualisht po bën xhiron e “Facebook”- ut, mund të konsiderohet pa frikë si një ndër simbolet e krenarisë për të gjithë qytetarët e Cërrikut.