Turqi, 9 maj 2014 – Një situatë e papritur është krijuar gjatë një emisioni televiziv në Turqi që ka në qendër takimet e dashurisë. Drejtuesja e emisionit përzuri një nga konkurentët në garë, pasi ai rrëfeu para teleshikuesve se kishte vrarë gruan dhe të dashurën e tij dhe pasi kishte bërë disa vite burg për secilën vrasje, ishte liruar falë amnistisë.

“Jam një burrë i ndershëm, që po kërkoj një grua të re,”tha Sefer Çalinak, 62 vjeç, përpara se të rrëfente vrasjet.

Ai ishte martuar me gruan e parë, të cilën e kishte kushërirë, kur ishin të dy 17 vjeçarë. Pas disa muajsh martesë ai ishte bërë xheloz për të shoqen dhe e vrau. U dënua me 19 vite burg dhe kreu vetëm 4, falë amnistisë.

Më pas u martua me një grua tjetër, me të cilën bëri dy fëmijë, por u ndanë. Pas ndarjes, nisi një aferë me një grua të martuar. Kur ajo nuk u nda nga i shoqi, pati një sherr mes tyre dhe sipas Çalinak vrasja e saj prej tij ishte aksidentale. Ai u dërgua sërish në burg dhe u lirua nga një amnisti.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/