Ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michelle Obama, ka treguar se vuante nga një depresion i një shkalle të ulët për shkak të pandemisë, padrejtësive raciale dhe kipokrezisë të administratës Donald Trump.
Bashkëshortja e ish-Presidentit amerikan, Barack Obama, ka shtuar se menaxhimi i uljeve dhe ngritjeve emocionale, kërkon njohjen e vetes dhe gjëra që sjellin gëzim. Michelle tha se ajo kishte pasur vështirësi me rutinën e saj të stërvitjes ditore dhe gjumin.
“Unë ngrihem në mesin e natës sepse jam e shqetësuar ose se më rëndon dicka”, u shpreh Michelle Obama. Ajo i bëri komentet gjatë episodit të dytë të podkastit të saj me të njëjtin emër, për të cilin ajo po intervistonte gazetarin amerikan Michele Norris.
Por teksa ka lexuar lajme të shumta në mediat e huaja apo edhe komente të ndryshme në rrjetet sociale, ish-Zonja e Parë ka vendosur që të reagojë përmes një postimi në “Instagram”.
Michelle qetëson të gjithë fansat, pasi shprehet se është duke u bërë mirë dhe se nuk ka arsye për t’u shqetësuar për të.
“Ashtu siç thashë në bisedën me Michele Norris, po mendoj për njerëzit atje që po rrezikojnë veten për ne, mjekët dhe infermierët dhe punëtorët e tjerë. Po mendoj për mësuesit, studentët dhe prindërit të cilët po përpiqen që të përgatiten për shkollën në vjeshtë. Po mendoj për njerëzit që protestojnë për pak më shumë drejtësi në vendin tonë.
Ideja se ajo që po kalon ky vend nuk duhet që të ketë ndonjë ndikim te ne, që të gjithë duhet të ndihemi mirë gjatë gjithë kohës – kjo thjesht nuk duket reale për mua. Kështu që shpresoj që të gjithë ju po e lejoni veten që të ndjeni çfarëdo që ndjeni. Shpresoj se po dëgjoni veten tuaj dhe po merrni një moment për të reflektuar rreth gjithçkaje që po vjen te ne, dhe çfarë mund të jeni në gjendje të bëni për të. E për të gjithë ju që e keni arritur- faleminderit. Shpresoj gjithashtu që keni arritur të gjeni ata me të cilët jemi më afër, jo vetëm me një mesazh, por ndoshta me një telefonatë ose me një bisedë me video. Mos kini frikë që t’u ofroni një shpatull për t’u mbështetur, ose për të kërkuar një për vete. Ju dua të gjithëve”, shkruan Michelle Obama në postimin e saj.





