Nga Gëzim Kabashi

Kompozitori i njohur shqiptar Haig Zacharian të mërkurën ishte i ftuar në Akademinë e Shkencave.

Profesor në Universitetin e Arteve dhe autori dhjetra veprave muzikore në një periudhë 50-vjeçare, Zacharian ka fituar simpatinë e dashamirësve veçanërisht për kolonën zanore në më shumë se 30  filma artistikë.

Në takimin e djeshëm që u organizua nga Qendra e Studimeve të ASHA, kompozitori durrsak iu përgjigj pyetjeve të  dr. Ermir Ballgjatit, si dhe artistëve të shumtë, të pranishëm në sallën “Aleks Buda” të Akademisë.

Rrëfimi i prof. Zacharian, nisi që nga rrethanat e familjes së tij armene në Durrës; mësimet e pianos me mësuen Lili Tafaj, për t’u ndalur më gjatë në ndikimin e pedagogëve për formimin e tij në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve).

Veçmas, ai vlerëson kompozitorin Tonin Harapi, pedagogun që “e dashuronte muzikën”.

Lektori sjell një pasqyrë të qartë të zhvillimeve në periudhën e “realizmit socialist”, gjatë së cilës ai punoi për periudha të gjata kohe, që nga përgatitja e grupeve amatore në HC e Fierzës, formimi i nxënësve në shkollën “Mujo Ulqinaku” të Durrësit deri te kompozimet e interpretuara në Dekadat e Majit apo në filmat artistikë.

Biseda e prof.  Haig Zacharian u shqërua me komente të pjesëve muzikore, nga filmi “Ilegalët” i regjisorit Rikard Ljarja, bashkëpunimi i parë në “artin e shtatë”, deri te filmat e fundit me regjisorin Pluton Vasi.

“Lectio Magistralis”është një cikël bisedash me artistë të shquar, që ka nisur në shkurt të vitit të kaluar, i ideuar dhe prezantuar nga drejtori i Qendrës së Arteve Stefan Çapaliku.