KAMERUN– Një rrëfim shokues i sulmuesit kamerunas Samuel Eto për revistën e vendit të tij “Je Wande”. Ai ka sulmuar haptazi drejtuesit e Federatës Kamerunase, duke i akuzuar madje se duan ta vrasin. “Kam marrë kërcënime me vdekje nga ana e tyre”, ka thënë sulmuesi ish-sulmuesi i Barcelonës dhe i Interit, tashmë tek Anzhi. 

“Drejtuesit e Federatës duan të më bëjnë atentat, duan të më vrasin, – deklaroi Eto. – Aktualisht jetoj me eskortë, madje një prej agjentëve të sigurisë fle përpara derës sime. Nuk e bëj për snobizëm, por për sigurinë time”, shtoi sulmuesi. “Nuk e vesh fanellën e kombëtares që na jep Federata, ua kërkoj direkt sponsorëve nga frika. Nuk ha ushqim bashkë me shokët e mi në kombëtare për të evituar që të hedhin helm në ushqim”, rrëfeu më tej Samuel Eto. 

“Drejtuesit janë inkompetentë dhe të korruptuar, duhet të japin dorëheqjen”, u shpreh kamerunasi. Kameruni mungoi për herë të dytë në Kupën e Kombeve të Afrikës. Eto refuzoi të zbriste në fushë në miqësoren ndaj Tanzanisë, që u luajt të mërkurën.