NGA BUJAR QESJA
Për durrsakët e vjetër, është e njohur pika orjentuese e qytetit që njihet me emrin ish klinika e vjetër dentare. Në brinjë të kësaj klinike, që sot është kthyer në çerdhe private për mirritjen e fëmijve, ishin strehuar fisi i njohur i Himëve. Qytetarë dinjitozë të këtij Durrësi, që vazhdon ende të na mbajë në “prehërin” e tij, punëtorë të lindur, të ndershëm si qelibari, por edhe tifozë të thekur të futbollit.
Ndërmjet këtij fisi të ardhur nga qyteti patriot i Kosovës martire – Gjakova dhe ngulitur në Durrës prej 130 vitesh, ishte edhe Halit Hima. Haliti kishte mbaruar studimet për marinë luftarake në Itali dhe shërbente si profesionist i vërtetë në repartin e kësaj arme në Durrës. Njeri me shumë reputacion në Durrës, ku i madh dhe i vogël e përshëndesnin me shumë respekt.
Në kujtesën tonë mbetet një burrë i thjeshtë, i mënçur dhe linte kokën për durrsakët. Familja e Halit Himës, është nga më të njohurat në Durrës, pikërisht për angazhimin qytetar dhe të dashurisë pa kufi për njerëzit e urtë të këtij qyteti të vjetër dhe antik, por me koncept të theksuar perendimor. E shoqja Vaideja dhe katër fëmijët, vajzat Sejrije dhe Yllka, si dhe djemtë Engjëllushi dhe Fatmiri, mbeten deri në fund të jetës së tij pasuria më e madhe për Halit Himën.
Si sportëdashës i pankonkuruar, ku zemrën dhe shpirtin ia kishte “shitur” futbollit, luste zotin që të paktën një nga djemtë t’ia falte topkëmbës. Këtu kishte edhe ndihmën e pakursyer të të jatit Imerit, që edhe ky linte kokën pas futbollit. Në këtë mjedis inkadeshent, elektrizues, të jashtëzakonshëm për futbollin u përkund dhe mori udhë edhe pasioni i personazhit të këtij shkrimi, i mirnjohuri dhe nga kapitujt më të artë të futbollit durrsak Fatmir Hima.
Me pamjen e jashtëme, Fatmir Hima nuk të bind se mbi supe gdhënd 68 vite jete. Më parë Imeri, gjyshi i Mirit dhe më tej i jati Haliti, nxitën tek vogëlushi dëshirën e madhe për të ushtruar futbollin. Si tifozë të thekur të ekipit përfaqësues të qytetit, ata i qëndruan afër Mirit për t’u bërë dikushi në sportin e topkëmbës. Dhe Fatmir Hima i kujton gjithnjë me mall. I tërë Durrësi i thërriste Imerit “gjyshi” dhe Halitit “lalë”, të cilët mbetën deri në fund të jetës, nxitje dhe frymëzim për inkurajime plot kulturë e qytetari të tifozërisë durrsake.
-Sapo nisa futbollin, kujton Miri, kur luanim me bashkëmoshatarët tanë, pranë kishim gjithnjë gjyshin e ëmbël, që i dhuronte të gjithëve karamele e çokollata.
Dhe me bekimin e tyre, Mir Hima nisi rrugën e vështirë por të bukur dhe romantike të futbollit.
“Nuk dua ta harroj”
Kur kisha shkruajtur njëherë për Mir Himën vite të shkuara, kisha thënë për të se ishte kontigjent i seleksionuesit të famshëm të fëmijve durrsakë, specialistit të lindur Filip Xhai. Teksa bisedonim enkas për shkrimin e tanishëm, u befasova nga një sygjerim i Mirit, i cili mbetet personifikimi ideal i emrit të tij.
-Bujar nuk kam as më të voglin qëllim të të ndërhyj në punët tuaja, por të mos më keqkuptosh në një pikë. Edhe tani po më thua, por edhe në një rast ke shkruajtur se jam zbulim i Filip Xhait. Ndërgjegja dhe mirnjohja për njerëzit, nuk më len të kem pengje në shpirt. Prandaj të lutem bëj një korrigjim kur të shkruash. Do të thuash që Mir Himën e ka pikasur, apo më saktë e zbuloi seleksionuesi me intuitë Besnik Turku. Unë nuk dua të di se, çfarë opinionesh mund të ketë dikushi për këtë njeri, por do të mbetem i qetë në se vendos emrin e Besnik Turkut si trajnerin tim të parë. Kam qendruar tre vjet me të dhe nuk e shkel ja kështu me këmbë, punën që bëri me mua.
Dhe realiteti, kurrsesi nuk e sposton punën e mëtejshme që kreu Filip Xhai (apo siç i thonë durrsakët me humor Xhaiç) me Fatmir Himën duke qenë i bindur, ashtu sikundër për tërë ajkën e ardhmërisë së “Lokomotivës”, se kishim të bënim me një zbulim të veçantë. Vetëm 12 vjeç dhe i biri i Halit Himës, përfshihet në formacionin e ekipit të Shtëpisë së Pionierit dhe prezanton Durrësin në tri spartakiada kombëtare. Talenti, pasioni dhe vullneti i pamasë ndaj futbollit, e formuan para kohe futbollistin e ardhshëm të “Lokomotivës”.
-Në Shtëpinë e Pionierit, pohon Hima, luanim së bashku me një ekip me futbollistët që bënë emër si Shyqyri Ballgjini, Alfred Filiari, Bujar Koka etj. Këto janë hapat e mia të para në futboll.
… Nysret Shyti e skaliti si karakter
Nysret Shyti, ky Xhavit Demner i Durrësit, e pikasi djaloshin dhe e ftoi të ishte pjesë e ekipit të të rinjve. Miri kujton:
-Isha 15 vjeç e 6 muaj. Ndeshjen e parë e luanim në Korçë. Zëvëndësova në pjesën e dytë sulmuesin Fadil Gripshi. Dhe këtu kam shënuar golin e parë. Dhe kujt? Portën korçare të të rinjve e mbronte Jani Kaçi, karriera e të cilit do të ngrihej deri në përfaqësuesen shqiptare. Punoja dhe stërvitesha pa orar. Dëshira dhe pasioni zhvilloheshin së bashku dhe karakteri si futbollist, po konturohej gjithnjë e më shumë. Luajta si mesfushor, pasi duhej të ndihmoja edhe mbrojtjen me lëvizshmërinë e jashtëzakonshme që ma kishte dhuruar zoti.
Dhe Miri, njeri shumë i ndjeshëm dhe zemër flori, nuk harron të të kujtoj Nysret Shytin, burrrin simpatik me ato mustaqe karakteristike që i qendronin si stoli, për ndihmesën e madhe që ka dhënë për aftësimin e brezave të tërë të futbollit të Durrësit. Dhe teksa drithërohet për kujtimin e tij, si papritur nga fytyra i pikojnë pikë loti të nxehta
-Teksa po vija tek ju, më tregon Hima i mirë, takova Edin, Edmond Zallën. U gëzua pa masë për insiativën që keni marrë, për të shkruajtur për njerëzit e futbollit, që aq shumë i kanë dhënë Durrësit tonë. Po ta lej si formë amaneti, apo porosie: mos t’i harroni këto figura të mëdha të futbollit durrsak. Prandaj edhe unë nuk i përmbaj lotët sa herë që i kujtojmë. Të falenderoj me gjithë zemër për ç’ka po bën.”
Duma e kuptoi se nuk gabonte me Himën
Mir Hima nuk e fsheh edhe ledhatimin që i ka bërë fati. Pa mbushur ende të 18-tat, mjeshtri shquar i futbollit Abdulla Duma, e thërret në ekipin e parë. Aso kohe “Lokomotivën” e drejtonte i madhi Refik Resmja dhe për të dytë kishte kolegun e vjetër dinamovit Abdulla Dumën. Profesor Refiku, nxit sërish kujtesën e tij goleadori durrsak Fatmir Hima, i besonte si vetja Dul Dumës dhe nuk ia prishi dëshirën për të më ofruar në “Lokomotivën” e madhe. Në një aktivizim disa minutëshe, më duket se ishte një kupë gazete, i shënova gol portjerit të “Partizanit” Bashkim Muhedini. Më është fiksuar fakti, që Dul Duma ndjeu krenari për zgjedhjen që kishte bërë, e ndërsa publiku thërriste pa ndërprerje emrin tim: Miri, Miri! Dhe prova më e madhe që m’u ofrua, ishte aktivizimi në Vlorë në vitin 1973. “Lokomotiva” së bashku me “Erzenin” dhe “Tomorin”, rrezikonin kategorinë e dytë. M’u besua një vend titullari dhe nga mesfushor luajta sulmues krahu. “Lokomotiva” qendroi në kategorinë e parë dhe ndihmesa ime ishte aktive.
Dy momente të paharruara
Që të dyja lidhen në harkun kohor 1973-74. “Lokomotiva” ndeshej në Shkodër ndaj “Vllaznisë”. Shkodra me futbollin që luante, futej në ekipet elitare të kampionatit, e “Lokomotiva” vuante rrezikun e rënies nga kategoria e parë.
Në Durrës mbanin frymën dhe sportëdashësit ishin përqendruar në aparatet e radiove për të ndjekur transmetimin. Shënon gol Mir Hima. Më pas Josif Ristani dhe e mbyll serinë e golave Agim Bulku. Fitorja 3-0 mbetet nga më të bujshmet të arritura nga “Lokomotiva” në transfertën shkodrane. Dhe për këtë gol, komentatori i famshëm shkodran, miku ynë Ymer Striniqi, do të bërtiste nga mikrofoni i Radio Tiranës i befasuar dhe i çuditur: “Gol për nder të familjes”!
-As nuk mund ta imagjinonim, vë në lëvizje sërish memerien e tij të freskët Mir Hima, se durrsakët kishin organizuar pritjen që tek Ura e Dajlanit. Mua dhe portjerin Naim Dollaku, na mbajtën në krah derisa u futëm në qytet. E atë natë të gjithë futbollistët, kanë hyrë në shtëpitë e tyre nga supet e njerëzve.
Dhe episodi i dytë lidhet me gjysmëfinalet e “Kupës së Republikës” në edicionin 1974-1975. “17 Nëntori” i mundi durrsakët në Tiranë 2-0. Dhe në ndeshjen e kthimit ndodh mrekullia. Tirana e Dhalesit, e Rom Shehut dhe Ben Çelës, e Millan Baçit dhe Tit Nallbanit falimenton në Durrës, kur mundet 3-0 pas kohës shtesë. Hima ka dëshirë të komplimentoj me nota të ndezura tifozërinë e zjarrtë durrsake, me kulturë e temperament. Origjinale në mbështetje dhe inkurajim.
-Atë vit, shprehet Hima, dolëm në finale të kupës me Elbasanin. Dhe të fton të shënosh në bllok disa emra futbollistësh: Leshteni, Toçi, Likmeta, Koçi, Lito, Filjari, Bulku, Dollaku, Kapidani etj. E kujtoj me mall kohën kur ushtruam futbollin, sepse ndonëse jo me kushtet e sotme, luajtëm me plot dëshirë dhe ambicje. Por edhe tifozëria ka qenë e jashtëzakonshme, duke mbushur për çdo ndeshje stadiumet.
“Ndarjet nga jeta në sfondin e humbjeve në futboll”
Biseda me Mir Himën mbetet e këndshme. Kjo edhe për natyrën hokatare të këtij njeriu, që edhe tani e bën po kaq popullor, sa edhe në kohën kur luajti futboll. Po të tentosh të ecësh disa metra me Mirin, menjëherë prek reagimin e një populli të tërë duke e përshëndetur. Popullariteti i tij është i pazakontë. Veçanërisht Durrësi e ka të theksuar këtë cilësi, që njerëzit e artit dhe të sportit i don fort dhe i çmon për atë që kanë dhënë.
Tifozëria durrsake e pashembullt në kulturë dhe në formate origjinale të inkurajimit, e krijuar për të rrezatuar qytetari dhe dashuri sportive, sado që është minimizuar nga largimet e shumta nga Atdheu e don shumë Mir Himën, këtë legjendë të gjallë dhe pasionante të futbollit. O Miro njëri, o Miro tjetri na e bën të padurueshme lëvizjen. Jemi “fshehur” diku që të merrnim frymë, e të nisnim sërish kujtimet për futbollin, për njerëzit e afërm të Himës që kanë ndikuar, ndihmuar, sakrifikuar e përkrahur atë në rrugën përkushtuese ndaj sportit të këmbës.
Janë dy momente shumë të veçanta, mbase edhe koiçidencë, mbase edhe jo që lidhen me futbollin, por në raport a në funksion të dy prej njerëzve më të afërm të Mir Himës, të gjyshit të tij Imerit dhe babait Halitit. Dhe ja se si vjen rrëfimi:
-Kur Abdulla Duma, shkund kujtimet e tij Fatmir Hima, më aktivizoi në një kupë gazete me “Partizanin” në Durrës, unë shënova gol. Duhej të ishte marsi, a prilli i vitit 1972. Në ndeshje ishte gjyshi im Ymeri. Më kujtohet një thënie e tij, që e përsëriste vazhdimisht. “Ishalla nuk vdes, pa e parë Mirin të luajë me ekipin e parë”. Dhe unë jo vetëm luajta, por edhe shënova gol. Kur populli u ngrit në këmbë duke thërritur, gjyshi nuk e pa se cili e bëri golin. Dhe kur pyeti, i thanë që e bëri Mir Hima. Mbaj mënd që ra një shi i tmerrshëm dhe gjyshi ishte bërë qull. Megjithëse “Partizani” i Panajot Panos na mundi 2-1, gëzimi i gjyshit i kaloi kufijtë. Kur shkoi në shtëpi, xhaxhai i vogël, tentoi t’i sillte rrobat e thata që të ndërrohej. Po ku pranonte gjyshi im i paharruar Ymeri.
“Më ka bërë djali gol dhe dua që aromën e golit të tij, ta ndjej edhe për mjaft orë, prandaj nuk i ndërroj rrobat e lagura”. Gjyshi u ftoh dhe me 14 nëntor 1972 kur dha frymën e fundit, “Lokomotiva” e tij e zemrës luante me “Vllazninë”
Dhe përkimi i dytë, vjen me lalën tim të shtrenjtë. Isha larguar nga futbolli me 7 maj 1985 në ndeshjen me Tiranën. Me doktor Ajaz Ajazin tek shtëpia e Lalës, jemi komshij. Me 7 dhjetor të po atij viti, “Lokomotiva” luante me Tiranën në Qemal Stafa. Ne ishim përqendruar tek shëndeti i Lalës. Ishte shumë sëmurë. Në mos gaboj ishte ditë e shtunë.
Doktor Ajazi vjen i befasuar tek unë dhe më thotë: Miri hajde pak. “Lokomotiva” shënon dy gola dhe fiton pjesën e parë 2-0. I them doktorit: Nëse në pjesën e dytë në 10 minutat e para Tirana nuk shënon, atëhere kemi shans të fitojmë ndeshjen. Pas gjysmë ore doktori më thotë: Miro Tirana barazoi 2-2. Dhe në sekondat e fundit të ndeshjes, Tirana shënon edhe golin e tretë dhe të fitores. “Lokomotiva” e zemrës e Lalës humbi dhe si një simfoni e dhimbshme dhe vajtuese e Moxartit të madh, vjen edhe humbja e jetës së kryetifozit të Durrësit tonë të përbashkët, Halit Himës. Ishte 7 dhjetor 1985.
“Arrestojeni…”
Natyra e gazetarit profesionist është e tillë, që kërkon nga personazhi i tij të përqendrohet në mbresa dhe kujtime të veçanta, që lexuesin e drithërojnë dhe e detyrojnë ti shkoj rrëfimit deri në fund. Dhe në këto pozita, Mir Hima nget kujtesën dhe e çon në një dukuri sa të dhimbshme aq edhe komike të vitit 1981. Ja se çfarë ndodhi dhe që Hima e vendos në ekranin e memories së tij:
-Si për ironi nuk e di se sa luan kjo dukuri, nga 20 prilli i ditëlindjes time. Isha në një formë të jashtëzakonshme. Fama ishte përhapur në të gjithë vëndin. Pritja të grumbullohesha edhe në ekipin përfaqësues, që do të bënte ndeshje kualifikuese për europianin e vitit 1984. Luanim në Korçë. Në një moment kur Jani Kaçi portjeri i njohur i “Skëndërbeut” kishte topin, unë u përpoqa t’ia largoja nga duart dhe preka gishtat e tij. Ai më shau dhe unë në nervozizëm ia ktheva. Por Plarent Kotherja nuk ndëshkoi asnjërin, sepse reagimet nuk ishin në përmasat e penalizimit. Kjo ra në sy të njërit prej miqve të Jani Kaçit, që ishte ulur në tribunën qendrore dhe që në mos gaboj ishte zgjedhur edhe kandidat i Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Unë shënova golin e vetëm për “Lokomotivës”, por Korça atë ditë na mundi.
Mbaj mënd kam vrapuar për të shkuar në dhomën e zhveshjes, nga një zonë e fushës afër kornerit. Dhe sapo prekja derën e brendëshme të stadiumit, dëgjova një thirrje të fuqishme: arrestojeni! Me sa ka mundur më vonë të mësoj, ishte zëri i Pirro Lakos, i nipi i Miha Lakos. As që e mendova se kjo thirrje e frikshme dhe e kobshme, kishte të bënte me mua. Kur po bëhesha gati të futesha në dush për të hequr djersën e lojës, vijnë dy policë dhe futen në dhomën tonë. I gjithë ekipi u shtang, kur ata u drejtuan nga unë dhe më thanë të kërkon Enver Halili, sekretari i parë i Komitetit të Partisë i Korçës.
Një skenar ogurzi po thurej. Më pas erdhi edhe shefi i zhdukjes së krimeve të këtij qyteti. Dola në koridor dhe së bashku me mua edhe i gjithë ekipi, të shoqëruar nga trajnerët dhe shefi i klubit Rexhep Bagoj. Sapo iu afruam Enver Halilit, dëgjojmë të bërtiturën e tij: Me veprimet e turpshme që bëre, ke fyer popullin e Korçës dhe organet e partisë dhe të pushtetit! Dhe i drejtohet Lut Bagojit: “Kur të shkoni në Durrës analizojeni veprimin e Fatmir Himës dhe dilni me masa konkrete”.
Dhe mbi mua ranë rrufetë e tifozërisë partiake. Pas katër ditësh një delegacion zyrtar nga Durrësi që përbëhej nga Gani Gorana, Eqerem Shehu dhe Azem Ballgjini i drejtohen Korçës. Së bashku me ta isha edhe unë. I duhej kërkuar të falur Enver Halilit, për një veprim që edhe tani s’jam i bindur se ka ndodhur, aq më pak që të jem unë autor i saj. Korça ende ziente dhe na thanë se, gazeta lokale “Drapër e Çekan”, kishte shkruajtur ashpër për veprimin e Fatmir Himës.
Edhe njëherë Enver Halili, i cili më kishte patur inat që kur punonte në Shkodër thjesht se unë i shënoja vazhdimisht “Vllaznisë”, insistonte që ndaj meje duheshin marrë masa të ashpra. Besim Fagu dhe Petrit Lika nga Federata e Futbollit, mblodhën ekipin për të dënuar këtë veprim. Por në pamundësi të gjenin personin e “turpit”, vendosën me arbitratitet dënimin tim. U përjashtova për një vit nga futbolli. Prill 1981 – prill 1982. Ndonëse u fala në dhjetor, por hija e këtij akti të pashembullt mbeti, sa që edhe sot e kësaj dite kujtohet me indinjatën më të thellë. Kjo ka qenë një nga farsat më të inskenuara të politikës, të lyer me dozat e tifozërisë së çfrenuar të njerëzve me pushtet.
Karriera ime mori një krisje të pariparueshme. Edhe tani kur e kujtoj, më vjen shumë keq që ndodhi kështu. Kam qenë natyrë i një lojtari korrekt dhe që shumë rrallë jam ndëshkuar me kartona.
113 gola
Kjo është shifra, ku këmba e Mir Himës ka takuar në rrjetat e portjerëve. Fatmir Hima mbetet bomberi historik i “Lokomotivës”, pasi asnjë para dhe pas tij nuk e kanë konkuruar këtë kuotë. Dhe Hima përsëri ngacmon bisedën, kur të shpjegon se mjaft prej këtyre golave kanë përcaktuar pozicionet e “Lokomotivës” sipas rasteve. Cilësitë kryesore të Mir Himës, të thotë shoku i ekipit Agim Çela janë dinamizmi, forca, shpejtësia dhe shpërthimi. Po të futej në zonë, nuk kishte “zot nane” ta mbante. Aq i fortë dhe i papërmbajtur ka qenë.
Ndërsa mbrojtësi simpatik Niko Jani, jep një mendim shumë interesant për shokun dhe mikun e vjetër Fatmir Hima. “Miri ndoshta, thekson Jani, mbetet ndër të vetmit sulmues që e merrte penalltinë pa rënë në tokë, aq i fortë dhe i pashembur ishte”.
Mir Hima në formacionin historik të futbollit
Kohë më parë në Durrës, nga gazeta “Teuta Sport” është organizuar një anketë, për të përcaktuar formacionin më të mirë në historinë e futbollit të qytetit. Për të qenë sa më transparentë, organizatorët e kësaj ankete, morën mendime edhe nga specialistët më në zë të futbollit shqiptar në Tiranë dhe të mjaft qyteteve të tjera të vendit. Dhe kjo 11-she është: Në portë: Teli Ciko. Në mbrojtje: Ardian Abazi, Agim Çela, Osman Kapidani dhe Niko Jani. Në mesfushë: Abdulla Duma, Alfred Filiari dhe Haxhi Ballgjini. Në sulm: Fatmir Hima, Maksut (Tut) Leshteni dhe Niko Bespalla. Më mirë dhe më bukur nuk ka ku të shkoj, kur të respektojnë dhe vlerësojnë deri në këto maja.
Tradita e mirë pranë shokëve dhe miqve
Si njeri i lidhur me futbollin, duke i dhënë nga jeta ime plot 50 vite në rolin e gazetarit, analistit, radiokronistit dhe opinionistit, çmoj një dukuri shumë pozitive që më tregoi Mir Hima, ky futbollist pikant i topkëmbës durrsake.
-Ne nuk e kemi harruar njëri tjetrin, nget bisedën Mir Hima. E kemi shumë të nevojshme si dikur edhe tani të qendrojmë, bisedojmë dhe takohemi së bashku. Kujtojmë kohën e futbollit, por edhe bëjmë shaka dhe humor. Vitet ikin shpejt dhe rinia na duket si kohë e largët. Prandaj kur ndodhemi pranë në takime e gosti të ndryshme, i japim më shumë optimizëm kohës që jetojmë, duke zbutur sadopak streset dhe hallet e ditës. I faleminderit Lefter Kokës dhe Agim Çelës, që provokojnë takimet tona duke kaluar momente të bukura dhe mbreslënëse. Shoqëria e jonë duket se sa vjen e shtohet më shumë. Krahas miqve dhe shokëve të zakonshëm ku dallojnë Lut Sejdini, Niko Jani, Ard Abazi, Bashkim Koka, Lad Ajazi, Dull Koçi, Tur Lekbello, vëllezërit Ballgjini, Ed Lito e ndonjë tjetër.
Largimi
Pas një karrierë të gjatë (1972-1985) natyrshëm do të vinte edhe ndarja me futbollin. Dhe ishte zgjedhur pikërisht një ditë kur në Durrës luante “17 Nëntori” i Tiranës. Ekipi i dyshes së famshme Kola- Minga, i Baçit, Josës dhe Omurit e kishte për nder të nderohej me largimin nga fusha e blertë e futbollit e Fatmir Himës, njërit prej sulmueseve më në zë të futbollit durrsak. Është fiksuar edhe në foto ky fakt domethënës, ku pasqyrohet vlerësimi maksimal, që i bëri tifozëria durrsake idhullit të tyre, teksa e duartrokiti pa pushim për minuta e minuta të tëra.
Ato do të kujtonin edhe më pas, profilin e spikatur që krijoi në futbollin durrsak Fatmir Hima, duke mbetur ndër personazhet më popullore, më të dashura dhe më të nderuara të tij. Do të vinte një ditë për t’u larguar nga futbolli. Por kjo ndarje është e denjë gjithnjë të kujtohet. Edhe Federata Shqiptare e Futbollit e nderon Fatmir Hima, për të gjithë këtë ndihmesë të vyer dhe ta paharruar që ka dhënë në zhvillimin dhe masivizimin e futbollit. Dy titujt e çmuar përfshirë në emërtimin emocionues dhe emblematik ”Mirënjohje”, janë argumenti më i mirë për të treguar se çfarë qe dhe çfarë bëri Mir Hima, në kohën e artë të talentit të tij.
Durrsakët kurrë nuk do të harrojnë beniamin e tyre, që i gëzoi dhe ia ngriti peshë zemrat me fitoret e bukura dhe golat mjeshtërore që shënoi. Dyshja e famshme Hima – Filjari zor se mund të konkurohet. Fatmir Hima mbetet shembulli më i mirë i talentit të përkryer, i dashurisë së pamasë ndaj futbollit, të cilit i fali dhe i dhuroi rininë e tij.





