Tiranë, 6 korrik 2014 – Ajo ishte një kërcimtare nudo, e përkëdhelura e Parisit, që shkëlqeu në klubet me drita të kuqe, ku për këtë kategori kryeqyteti francez ishte rrugë suksesi, pasurimi dhe karriere. Tepër e varfër, Tanja Visarova pozon për piktorët, pastaj hyn në “Foli-Berzher”, thjesht si një “manekin”. Dhe shumë shpejt e njohur si “trupi femëror më i këndshëm i Parisit”, ajo u “morr me qira” nga një mbret, mbreti Ahmet Zogu i Shqipërisë, i cili e mbajti në oborrin e vet. Kjo periudhë e paharrueshme për Tanjën dhe mbretin e shqiptarëve përshkruhet në librin “Nga Kaukazi në Foli-Berzher” të gazetares Maria Krepo. Tanja aty rrëfen përjetimet e saj për atë kohë kur ishte vetëm 20 vjeçe dhe zbuloi Shqipërinë, oborrin mbretëror dhe mbretin Zog. U mbulua me aq bizhuteri, gjerdanë, unaza dhe fustane e pallto sa nuk i kish ëndërruar gjithë jetën. Zogu atëherë 33 -vjeçar, i shpallur mbret vetëm para një viti ishte i marrosur pas 20 -vjeçares.
Oferta shqiptare
Në fillim të vitit 1929, rrëfen kërcimtarja, nisa të dubloj artistë të ndryshëm nëpër skena erotike filmash, ku duhej të luaja çaste nudo. Filmi i parë i kësaj serie ishte “Gruaja dhe Pantini”, në të cilin i huaja trupin Konçita Montenegras. Unë jam edhe cigania që kërcen tek “Monte-Kristoja”. Në tërë këta filma luaja skena kalimtare, por më në fund u bëra violina e parë me një rol të vërtetë. Sakaq, e shoqëruar nga ime më, u nisa për Bruksel, isha ftuar që të kërceja në një mbrëmje zyrtare. Aty kishte dhe shqiptarë të ftuar. Po bëhej rreth një muaj që nga dita kur Ministri Fuqiplotë i Shqipërisë dhe deputeti më kishin bërë kërkesën që të shkoja për të kërcyer në Shqipëri, në teatrin mbretëror të këtij vendi; duhej të kërceja për mbretin Zog (të cilit ia dëgjoja për të parën herë emrin), që së afërmi, në tetor, festonte përvjetorin e parë të hipjes në fron. Në Bruksel, të dy burrat këmbëngulën edhe një herë në kërkesën e tyre. Duhej që të përgjigjesha menjëherë, puna ishte urgjente, në Shqipëri më prisnin. Do të merresha me rolin e Kartakalës, apo do të zgjidhja vallëzimin në Shqipëri?! As vetë nuk mund ta di se përse parapëlqeva të bëja një turne në këtë vend të largët.
Kur të bie e mira nga qielli
Erdhi dita që do të niseshim: Ime më, unë, ministri dhe deputeti. Roma ishte lënë si vendi ku do të firmosej kontrata. Kontrata u nënshkrua në Konsullatën e Shqipërisë dhe me kërkesën time edhe atë të Rumanisë. Firmosa për një angazhim tremujor. Të ardhurat nga kontrata i depozituam në një bankë të Parisit dhe nisëm nga vizitat në qytet. Gjëja që më la vërtet përshtypje të çuditshme lidhej me faktin se shqiptarët nisën të blinin veshje. Pasi kishin konstatuar me çudi që përdorja një valixhe të vogël e jo të re të tipit “Samaritan”, në të cilën kisha vendosur kukullën, këmishën e natës që më kishte blerë mamaja dhe një fustan mbrëmjeje për kabaretë, një fustan nga ata që artistët ua rishesin shoshoqit. Qëndruam tri ditë në Romë vetëm për veshjen time. Im më dhe unë po binim të sëmura duke parë çmimet fantastike të veshjeve që na sillnin, këto i kalonin shumat e kontratës, ndaj unë u detyrova t’iu them burrave të Zogut: “Unë nuk mund t’i blej të gjitha këto”! “Nuk ka asnjë rëndësi, është e nevojshme, do t’ju duhet të shëtisni shumë, mos u shqetësoni”…Valixhja nga Samaritania u zëvendësua me një valixhe me lëkurë derri, që hapej sa herë në të duhej të ngjisheshin veshje të reja. M’u krijua një luks i bollshëm. Gjithnjë e më shumë po kthehesha në Hirushen e kohës së Zanave. Unë vajza që nuk kisha patur veçse një kostum të vogël dhe një pallto të zakonshme, tashmë mbulohesha me fustane të shumta të paradites, të pasdites, të mbrëmjes. Mamaja gjithashtu u vesh me rroba serioze kokë e këmbë.
Dita që shigjeta shpoi zemrën e mbretit
Pas disaditësh arritëm në Tiranë. Familja mbretërore kishte ambiente të shumta banimi, na drejtuan në njërin nga ata dhe na lanë të prisnim në holl. Pas pak pashë të hynte një burrë i gjatë, i hollë, biond dhe me sy blu, që e mora për një oficer austriak. Por befas deputeti u nxitua të më prezantonte para mbretit. “Ju qenkeni”?-thashë e çuditur. “U zhgënjyet. Më imagjinonit ndryshe”? “Kam jetuar një pjesë të madhe të jetës midis njerëzish orientalë, ndaj më shumë ju përfytyroja si njëfarë pashai. Por ngjani me një oficer austriak ose jugosllav, nuk keni asgjë orientale”. (Ai i shëmbëllente më shumë disa rumunëve që kisha mundur të njoh gjatë jetës dhe që ishin më austriakë se sa austriakët).
Është e vërtetë, kam lindur mysliman, por ndjehem europian. Veç kësaj kam shkuar një pjesë të jetës në një shkollë austriake”. Kishte një buzëqeshje zbavitëse, që më çuditi pak dhe më nervozoi shumë. Të nesërmen erdhën dhe më kërkuan: duhej të isha e vetme. Zogu më priti si i magjepsur. Folëm gjatë, kuptohet. Mbreti Zog ka qenë shumë njerëzor me mua, shumë i sjellshëm, i butë. Në fund ai arriti atë çka dëshironte, por vetëm pas një muaji të tërë. Nuk më nxiti, priti sa të isha e gatshme. Dhe besoj e kam çuditur, madje jo në pak gjëra.
Dehje…
Nëse doja një parfum, do të më sillnin nga ky një sasi sa për gjithë jetën. Mbulohesha me bizhu, me “lecka” shumë të kushtueshme. Zogu ishte si gjithnjë i butë, tepër i sjellshëm, magjepsës. Ai qe tridhjetetre unë njëzet. Kisha jetuar gjithnjë nën presion, duke punuar në mënyrë të vazhdueshme, tani kisha ditët e mia të shplodhjes; lexoja, shëtisja, më dilte koha të admiroja zambakët e rërës, aq të hollë, aq të bukur. Shkonim në Durrës, në plazh, ku hanim bashkë, kaloja pasditen me të. Të dy bënim plazh me kostume të rregullt banje, nuk flitej kurrë të plazhonim nudo. Dhe notonim të dy bashkë deri pranë vaporëve ushtarakë, të ankoruar thellë në det, larg rezidencës së tij. Protokolli parashikonte madje, edhe orët tona të dashurisë. Dashuria bëhej gjithnjë në të njëjtën orë; ndoshta mund ta quaje të gjithë këtë, “nëpunësi”. Zogu, mendoj, nuk ishte një qenie e ndezur në pasione, më dashuronte, kishte dobësi të madhe për mua, por protokolli, kotësitë e funksionit të tij mbretëror merrnin frenat dhe vinin nën kontroll gjithë gjërat e tjera.
Motrat e Zogut, armike si skifteri mbi mua
Vetëm pasi mbërritëm në Tiranë njoha familjen e tij, shtatë motrat dhe nënën. Armiqësia e tyre ndaj meje ishte e menjëhershme. Unë isha shumë jashtë shijeve të motrave të Mbretit, nuk kisha prirje të njëjta për gjërat e kota. Ndërsa e ëma e detyroi Zogun t’i premtonte se asnjëherë sa të qe gjallë ajo, ky nuk mund të merrte për grua një vajzë që nuk ishte myslimane. Zogu më foli hapur për martesë. “Unë jam e zgjedhura e zemrës tuaj, siç thoni ju gjithnjë, mirë, pra le të mbetem kështu: e zgjedhura e zemrës suaj! dhe asgjë më shumë”. Martesa me të nuk ishte ndonjë ide që mund të më tërhiqte. Jetoja në një botë që nuk qe imja. Nuk dashurohesha dot pas gjërave që shihja në Tiranë.
Nëna e Zogut ishte fis i mbretit të Egjiptit, Fuad. I kërkonte të birit që të fejohej me motrën e mbretit Faruk dhe kujtonte se isha unë që e pengoja këtë martesë. Në të vërtetë Zogu donte ta shmangte vetë me çdo kusht një martesë që do ta rilidhte me orientin. Duke qenë oriental, ai donte të fshinte rreth vetes çdo gjë që binte era orient, sipas tij sinonim i “prapambetjes” i “mjerimit”.
Zogu, një xheloz i pandreqshëm
Një natë pësova një krizë apendesiti, ndaj thirra Dedë Sulin në mesnatë dhe i kërkova të më sillte një mjek. Mjeku mbërriti shpejt dhe më lehtësoi, por për çudinë time të madhe në orën shtatë të mëngjesit pashë të vinte Zogu me një tërbim të shfrenuar. “Përse e kërkove mjekun? Të pa të zhveshur? Të preku”? Tani u tërbova unë: “Ju mbaheni për europian, por ju po thoni gjëra që vetëm një orientali i vijnë në mendje. Sa për t’u zhveshur, i gjithë Parisi më ka parë të zhveshur, ministrat e tu, deputetët e tu më kanë parë lakuriq, ndërsa tani që u sëmura, qenka e ndaluar të vijë një mjek që të më shohë!!”.
Skena u mbyll sigurisht, u qetësua duke u ofruar një barcaletë, dhuratë e uljes së tensionit. Por sidoqoftë kishte ndodhur një skenë, e para…Brenda kafazit të artë ku u gjenda edhe një herë e mbyllur, nisi të më shuhej gëzimi, që tek unë kishte qenë aq i natyrshëm.
“Unë jam mbreti, jam Skënderbeu”…
Së shpejti do të festonte përvjetorin e parë të ngritjes në fron. I thoja vetes se isha shfaqur tepër herët. Zogu ishte ende në kulm të gjendjes euforike: “Unë jam mbret!”. Fliste si të kishte qenë pasardhës i një dinastie që kishte zaptuar fronin për shekuj. Kalonte për llogari të tij të gjitha lëvizjet kundër turqve. Ëndërronte ta quanin Skënderbe, si heroin e rezistencës në shekullin XV. Madje, zhytej edhe në një të shkuar të thellë, fliste për Shqipërinë e lashtë, për të shkuarën e saj greke, romake, bizantine e të gjitha këto e dehnin. Teksa e dëgjoja, mendoja se i zmadhonte gjërat, por e kuptova se kurora i kishte rënë në kokë, ashtu siç më kishte rënë në kokë mua goditja e fatit. Çdo çast mërmëriste me vete: “Jam mbret!”.
Si e zhvatnin ministrat Zogun
Me gjithë frikën që u kallte, ministrat e vidhnin në mënyrë të vazhdueshme. Shpesh ata na kërkonin, mua ose time mëje, që të ndërhynim pranë mbretit, p.sh. për të fituar monopolin në shitjen e një prodhimi. Përpiqeshin të na joshnin me anë të përqindjeve të mëdha që na premtonin, në rast se do t’ia dilnim mbanë kësaj pune. Unë u përgjigjesha vazhdimisht: “Nuk ndodhem këtu për të biseduar çështje tregtare me Mbretin!”. Shpenzimet pa hesap në këtë vend kaq të varfër ishin vërtet çmenduri. Mamaja nuk e pëlqente verën dhe nuk e pinte kurrë një pikë. Megjithatë arka të tëra me verë vinin për të zbukuruar tryezën e saj çdo ditë. Një ditë ajo humbi ombrellën. U sollën dymbëdhjetë ombrella për të zëvendësuar atë që humbi. Zogu domosdo deshi të më ofronte dy pallto, mbërriti vetëm njëra, tjetra u përla…
Emri dhe historia e Zogut
Një ditë e pyeta për emrin. Më shpjegoi se emri i tij Zog përfaqësonte në gjuhën shqipe fajkoin ose shpendin. Ishte i biri i një drejtuesi të fuqishëm në klanin Mati. I ati ishte vrarë gjatë një revolte kundër pushtuesve turq dhe Ahmeti (ky ishte emri i tij) ishte dërguar për në Stamboll si peng. Kaloi këtu pesë vjet në Pallatin e Sulltanit dhe u rikthye në vendin e tij vetëm në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, më 1912 në kohën e luftërave në Ballkan që i krijuan edhe Shqipërisë mundësinë të shkundej një herë e mirë nga zgjedha turke. Shqipëria mbeti e pavarur për dy vjet. Më 1914 austriakët pushtuan vendin. Ahmetin e ri nisën ta trajtojnë me shumë përkujdes, e nisën në Austri, ku do të rrinte deri në fund të luftës. Pas luftës Zogu erdhi përsëri në Shqipëri dhe filloi të merrej me politikë. Aktiviteti i tij shqetësoi presidentin e këshillit të asaj kohe, Mgasitër Fan Noli, i cili nuk vonoi të nxjerrë një mandat arresti për të. Zogu u arratis në Jugosllavi, ku u mor me organizimin e kthimit të tij në Shqipëri. Këtu kthehet në 1924, në krye të një grupi të vogël (të përbërë nga besnikë dhe oficerë rusë të bardhë) me ëndrrën për të qenë Musolini i vendit të vet. Nervi i politikës ishin të hollat, Zogu i shtiu në dorë ato, në sajë të një njeriu: beut të Elbasanit, Shevqet Verlacit, e bija e të cilit kishte qenë deri në marrëzi e dashuruar pas Zogut. Ahmeti i pranoi të hollat, në fund të vitit 1924 u bë president i republikës, por e bija e Vërlacit nuk u bë kurrë bashkëshortja e tij. Që nga ajo kohë, klani i Vërlacit u vu në opozitë me Zogun, por kjo nuk e pengoi aspak matjanin të bëhej mbret i Shqipërisë nën emrin Zog I, më 8 shtator 1928.
Falsiteti i një oborri
Zogu ishte një vasal i Italisë, nga e cila ishte krejtësisht i varur, edhe nëse nuk dëshironte ta pranonte këtë. Më fliste gjithnjë për projektet e veta të mëdha, për ato që do të bënte për vendin së afërmi, por gjatë gjithë kohës që unë qëndrova në atë vend, nuk lëvizi asgjë. Burimet ekzistuese, nafta dhe mineralet nuk shfrytëzoheshin. Paratë vinin nga Italia dhe i jepeshin si ndihmë Pallatit. Në të vërtetë, megjithë europianizmin e vet, Ahmet Zogu ishte një despot oriental. Klani i tij dhe të motrat i jepnin vetes një rëndësi të kotë, të padëgjuar-mamaja ime ishte e para që e krahasoi familjen e tij me atë, që i krijoi aq shumë telashe dhe andrralla Napoleonit I. Të motrat u flaknin në kokë ministrave pantoflat. Kur vinte drejtori i pallatit, gjithë përulje, që t’u njoftonte se tualetet e porositura në Paris mund të vononin pakës, ato zhvishnin këpucët dhe ia vërtitnin në fytyrë, drejtori largohej duke u tërhequr mbrapsht e duke fshehur fytyrën pas krahëve.
Zogu kishte një qen, një barzoi, të quajtur Eros, me një ligësi të pabesueshme. Ky rrinte drejt, i gatshëm për t’u hedhur mbi njeriun që i tregonin me të marrë sinjal nga i zoti. Kur mbetesha vetëm në holl me Erosin, nuk guxoja të lëvizja e të merrja frymë.
Sa shumë drama pati me të. Një ditë në inat e sipër Zogu i dha shenjë Erosit, i cili u hodh vrik mbi njërin nga adjutantët dhe e kafshoi në krah. Krahu i këtij burri mbeti pak i paralizuar edhe pas një qëndrimi të gjatë në spital. Ministrat që paraqiteshin tek mbreti dridheshin në atë farë feje nga frika se mos hapeshin dosjet. Një herë Zogu më tregonte se kur kishte qenë fare i ri kishte shtënë dashuri me një çupëlinë, meqenëse ajo kishte qenë e fejuar, ai fare thjesht e kishte vrarë të fejuarin e saj në një “duel”.
/gazeta "Dita"/





