Kujtim Ibraj, babai 56-vjeçar që vrau vajzën 17 vjeçe dhe plagosi bijën tjetër 23 vjeçe, nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese për krimin monstruoz.

“Më kishin mërzitur shumë. Në shtëpi rrija vetëm dhe këtë gjë nuk po e duroja dot më”, mësohet të ketë dëshmuar në polici 56-vjeçari gjatë marrjes në pyetje.

“Kishin filluar të bëheshin të padurueshme. Nuk po i duroja dot më. Nuk po e duroja dot më faktin se ata rrinin të gjithë së bashku, ndërsa mua më linin të vetëm në një dhomë. Dyshoja se vajzat kishin lidhje dashurie dhe nuk kishin pse të qëndronin më në shtëpi. Ato duhej të shkonin tek të dashurit e tyre”, mësohet të ketë shtuar ai më tej, transmeton “Gazeta Shqiptare”.

Mbrëmjen e së dielës, ai qëlloi me thikë mbi dy vajzat e tij, 23-vjeçaren Esmeralda Ibraj dhe motrën e saj më të vogël, 17-vjeçaren Elidona Ibraj, e cila gjeti vdekjen rrugës për në spital.

Çifti i bashkëshortëve kishte disa vite që ishin divorcuar, por sërish jetonin në të njëjtën banesë. Në njërën anë të shtëpisë jetonte gruaja me 6 fëmijët e saj (4 vajza e 2 djem), ndërsa në dhomën tjetër jetonte Kujtimi.

Grupi hetimor mori në pyetje edhe vajzën e plagosur si dhe nënën e saj. Esmeralda gjatë deklarimeve të saj, mësohet të ketë dëshmuar se ajo bashkë me morat, para krimit, i kishin thënë të atit që të largohej nga shtëpia pasi ai nuk kontribuonte asnjëherë në familje.

“Babai erdhi i dehur në shtëpi. Filloi të zihej me nënën. Unë dhe motra ndërhymë për t’i ndarë, por ai filloi të na qortonte se ne nuk duhej të qëndronim më në shtëpi. I thamë që do ta largonim nga shtëpia. Ai mori thikën dhe qëlloi mbi ne”, ka deklaruar mes lotëve dhe pikëllimit Esmeralda Ibraj.