Një vogëlush 15-muajsh ka humbur jetën në pediatrinë e Tiranës pak orë pasi ishte transferuar nga mjekët e Durrësit për në kryeqytet. Vogëlushi u paraqit me një virozë të lehtë të stinës e temperaturë jo të lartë në pediatrinë e Durrësit, por humbi jetën si rezultat i një infeksioni urinar i cili i përfundoi në organet e brendshme jetësore.
Të dëshpëruar prindërit e vogëlushit, i cili është i dyti që ndërron jetë në Durrës brenda dy javësh, bëjnë përgjegjës mjekët të cilët sipas tyre neglizhuan simptomat e vogëlushit që më pas e çuan në infeksion të rëndë urinar me pasojë vdekjen.
Anastas Cuka (gjyshi i vogëlushit), thotë se mjekët e gatshëm Erjon Hoxha dhe Rasim Lusha janë përgjegjës për vdekjen e foshnjes.
Më datë 28 prill, familja Cuka nga fshati Fllakë nga Durrësi, humbi foshnjën 15-muajsh E. C. dhe sipas familjarëve, vogëlushi ndërroi jetë si pasojë e neglizhencës së mjekëve, të cilët nuk ofruan shërbimin e nevojshëm.
Kujdesi Aga, babai i vajzës denoncoi publikisht bluzat e bardha për neglizhencë prej të cilës humbi vajzën 15-muajshe, ndërsa e njëjta ngjarje u përsërit edhe pas dy javësh. Sipas familjarëve, foshnjet kanë humbur jetën si pasojë e mjekimit të gabuar dhe neglizhencës së mjekëve. Për rastet në fjalë ka nisur një hetim, por deri tani shkaqet e vdekjeve nuk janë bërë të ditura.
K.H.





