Prej dy ditësh është kthyer në shtëpinë e saj në Durrës, por ende nuk ka mundur të përqafojë nënën e saj. Megjithëse dy tamponët i dolën negativ, infermierja Lindita Hasa dëshiron të jetë e kujdesshme gjatë këtyre 14 ditëve të karantinimit.

“Ishte emocion i paparë mbërritja në shtëpi. Emocionet më kishin nisur që para se të nisesha nga Italia, por kur pashë sytë e nënës sime të përlotur as unë nuk e mbajta dot veten. ‘Falë zotit u ktheve shëndoshë e mirë në shtëpi’, më tha mami, e cila mezi e kishte pritur rikthimin tim. Tani komunikojmë nga dhoma në dhomë dhe përshëndetemi nga larg”,- tregon infermierja nga Durrësi, që për një muaj me radhë shërbeu si vullnetare në spitalin e Breshias, së bashku 29 anëtarët e tjerë të ekipit shqiptar.

Linda, siç e njohin të gjithë, komunikon për herë të dytë me DurrësLajm, sepse intervista e parë ishte gjatë kohës që ishte në Itali. Që në timbrin e zërit kuptohet se tashmë ndihet shumë më tepër e çliruar, jo vetëm për faktin se është kthyer në shtëpi dhe si ajo ashtu dhe kolegët e tjerë nuk u prekën nga koronavirusi, por edhe për shkak se Italia tashmë i ka lënë pas shifrat e dhimbshme të të vdekurve nga koronavirusi.

“Kur shkuam ne kishte rreth 800 pacientë në spital. Të gjitha pavionet ishin kthyer në pavione Covid. Tani shifra është shumë më e ulët, 10-15 persona, ndërsa shumë pavione janë kthyer në gjendjen e mëparshme, siç ishin para pandemisë. Ky është një fakt që na ka lumturuar të gjithëve”,– thotë Linda.

Pas daljes nga karantina, infermierja Lindita Hasa shprehet se dëshiron të bëjë një xhiro të gjatë në Durrës dhe të kthehet sa më parë në detyrë.

“Sapo të mbarojë karantina dua të dal në Durrës, të shëtis nëpër qytet. Më ka marrë malli të thith ajrin e pastër të detit, të shëtis në vendet e mia të preferuara. Më pas shpresoj në rikthimin tim sa më të shpejtë në detyrë. Për mua, rikthimi në punë është gjëja që dëshiroj më shumë. Shpresoj ta vesh sa më shpejt përparësen e bardhë”,– thotë ajo.

Duke u ndalur tek incidenti gjatë ditës së fundit të ekipit shqiptar në Breshia, Linda sqaron se nuk ka ndodhur ashtu siç e pasqyruan mediet.

“Atë ditë, në orën 18.00, ne ishim të ftuar nga drejtori i spitalit të Breshias, i cili na falenderoi përzemërsisht për punën e bërë nga të gjithë ne. Ata kishin shtruar një koktej, u bënë fotot e rastit, u këndua himni ynë kombëtar dhe më pas u nisëm drejt hotelit. Një grup prej 10 personash nga ekipi ynë, që kishin lidhur një miqësi të ngushtë pasi shërbenin në të njëjtin pavion dhe turnet i kishin përherë bashkë, u mblodh në një dhomë dhe këndoi dy-tre këngë, me të cilave edhe “Po ku ka si ti o Shqipëria ime”. Duhet ta kuptoni gëzimin tonë. Po ktheheshim në shtëpi, asnjë prej nesh nuk ishte prekur nga koronavirusi, ishte hera e fundit që rrinim të gjithë së bashku. Nuk ka pasur zhurmë, por vetëm është ngritur pak zëri duke kënduar. Unë s’mund ta quaj incident”,– thotë Linda, ndërsa na tregon edhe disa foto gjatë koktejit të organizuar nga autoritetet italiane, për punën mjaft të mirë të bërë nga ekipi shqiptar.

Qëndrimi një mujor në Itali do të mbetet një eksperiencë e paharrueshme për Linditën. Siç shprehet dhe vetë, do ta shoqërojnë gjatë kujtimet me pacientët e sëmurë, por edhe momentet e gëzimit kur të prekurit nga Covid-19 shëroheshin dhe dilnin nga spitali.

“Të gjithë ata që më njohin e dinë që unë jam një vajzë luftarake. Shpesh të ligështohej zemra kur shihje pacientët që përkeqësoheshin nga sëmundja, por nuk kishte gëzim më të madh kur të shëruarit dilnin nga dera e spitalit. Për ne dalja e secilit prej tyre ishte një fitore më vete”,- e mbyll rrëfimin e saj infermierja Lindita Hasa.

M.B.