Pendohet autori. “Doja ta frikësoja”. E shoqja: Nuk dija të kishte konflikt
“Jam thellësisht i penduar. Nuk doja ta vrisja Arbenin, por nuk e durova dot kur më shau nga nëna, gruaja e të gjithë njerëzit e familjes”. Miran Tila, autori i vrasjes së biznesmenit të drurit në Maminas, tha sot në sallën e gjyqit motivin e krimit. “Shkova atë natë ta prisja për kafe në Manëz e të sqaroja konfliktin. Në çantë kisha kallashnikovin, me të cilin do ta trembja. Gjatë rrugës ai filloi prapë e më shau shumë rëndë. Dola për të sqaruar muhabetin dhe nuk mbaj mend si e kam qëlluar”, u shpreh ai.
Miran Tila tha se njihej prej gati 7-8 muajsh me viktimën, por prej 4 muajsh ishte tensionuar marrëdhënia mes tyre. Por, sot ai ndihet i penduar dhe kërkon mëshirë nga gjykata. “Pas ngjarjes jam fshehur në një hotel në Gjirin e Lalëzit e jam dorëzuar pas këmbënguljes së familjarëve të mi”, tha ai.
Të pranishme në sallë ishin vetëm gruaja dhe motra e autorit. Bashkëshortja, Behare Tila, thotë se nuk ka ditur asnjë konflikt, madje nuk e njihte Arben Hasën. “Sikur ta dija se çfarë kishte ndodhur, do i kisha treguar njerëzve tanë dhe ata do e kishin ndaluar me kohë Miranin”, shprehet ajo e tronditur.
Krimi ndodhi në Shkallë, Manzë mbrëmjen e 2 dhjetorit, por viktima u gjet vetëm të nesërmen në mëngjes.