“Kur vajza u nis për në Itali, nuk munda ta përqafoja. Testi kishte dalë negativ, por unë isha ende në karantinë!”
Kështu shprehet për DurrësLajm, mjeku infeksionist Beqir Gelaj, i cili ishte i pari nga bluzat e bardha të vendit tonë që u prek nga Covid-19.
Ditën e sotme, mjeku ishte mes kolegëve të tij në spitalin rajonal të Durrësit. Pas përfundimit të karantinës 14 ditore, të hënën nisi sërish punën. Rikthimi në detyrë ishte i shumëpritur, pasi për mjekun Gelaj puna me pacientët është një kënaqësitë më të mëdha që i fal profesioni që ushtron prej vitesh.
Pyetjes sonë se çfarë ndjeu kur mësoi për herë të parë se rezultati i tamponit kishte dalë negativ, doktori infeksionist i përgjigjet: “Domosdo nuk është ndjesi e mirë. Unë jam vetë mjek infeksionist dhe i di rreziqet që paraqesin këto sëmundje, sidomos në këtë rast, kur njohuritë tona për virusin janë shumë të pakta. Fatmirësisht, meqë e kalova të gjithë periudhën e prekjes thuajse asimptomatik, ndihesha mirë edhe shpirtërisht, isha i qetë”.
Që nga dita kur u bë publike se ai ishte prekur nga Covid-19, telefoni i tij nuk ka pushuar së rëni. Të afërm, miq, kolegë apo dhe pacientë e kanë kontaktuar për ta pyetur si ishte dhe për t’i uruar shërim të shpejtë.
“U jam mirënjohës të gjithëve. Mesazhet dhe telefonatat e tyre më kanë dhënë forcë ato ditë që isha i izoluar”,– thotë Gelaj.
Ndonëse e ka lënë pas krahëve periudhën kur ju desh të bashkëjetonte me koronavirusin, meraku i tij tashmë mbetet vajza, Ornela, e cila prej mëse një jave ndodhet në vijën e parë të luftës në spitalin e Breshias.
“Ornela e mori vetë vendimin për të shkuar të jepte kontributin e saj si mjeke në vendin fqinjë, me të cilin ajo ka një lidhje të veçantë. Pavarësisht rrezikut që mund të paraqesë lufta me Covid-19, Ornela ishte e vendosur. Ne si prindër e mbështetëm vendimin e saj, por kuptohet meraku i prindit. Deri tani, ajo është shumë mirë, megjithëse zona ku ka shkuar është një nga më të prekurat nga virusi vdekjeprurës. Siç na rrëfen edhe ajo vetë, fatmirësisht situata atje ka nisur të përmirësohet disi. Është shumë e kënaqur nga puna me kolegët italianë dhe mjaft e përkushtuar në detyrat që i janë ngarkuar”,- rrëfen mjeku Gelaj.
Ornela Gelaj ishte një nga 30 mjekët dhe infermierët që ju përgjigj thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë për t’u shkuar në ndihmë homologëve italianë, që prej më shumë se një muaji janë të angazhuar 24 orë në 24 për të kuruar pacientët e prekur nga koronavirusi.
“Vajza ime ka një lidhje të veçantë me Italinë. Ka ndjekur studimet në fakultetin e mjekësisë tek “Zoja e Këshilit të Mirë”, provimin e licencimit ajo e ka dhënë në Romë. Gjithnjë na e ka shfaqur dëshirën e saj për të punuar në vendin fqinjë. Prandaj dhe kur e mësuam vendimin e saj nuk u befasuam, thjesht e mbështetëm”, – thotë babai i saj, Beqir Gelaj.
Megjithëse është mjek infeksionist, ashtu dhe si shumë kolegë të tij, Beqir Gelaj nuk di të thotë me siguri të plotë se kur do mund të zhduket koronavirusi.
“Qarkullon shumë informacion këto javë, sidomos, pasi Covid-19 u shfaq në Evropë dhe SHBA. Por shpeshherë informacionet janë kontradiktore. Kjo sepse njohuritë e specialistëve për këtë virus të ri janë ende në fazën e njohjes. Me kalimin e kohës, sigurisht që do zbulojmë më shumë gjëra për të dhe njëkohësisht dhe organizmi jonë shpresojmë të ketë një sjellje ndryshe ndaj virusit”,- thotë mjeku infeksionist.
Tashmë, si shumë kolegë të tij ai është rikthyer në llogoret e luftës me armikun e padukshëm. Bluzat e bardha nuk dinë ende të thonë me siguri se kur do të mundet plotësisht armiku, por për një gjë janë të sigurt:
Jeta do triumfojë mbi vdekjen…
M.B.





