TIRANE, 17 mars 2013 – Zbulohen detaje të reja dhe tronditëse nga rrëfimi i 45-vjeçarit Ardian Prrenjasi para grupit hetimor të ngritur për këtë çështje në Policinë e Tiranës.
“E kam vrarë Julian Çelën që ditën që e rrëmbeva me 30 nëntor, pasi sapo e futa në shtëpi filloi duke bërtitur. Nuk e njihja më parë, por e futa në shtëpi pasi i thashë të më blinte një paketë cigare. Trupin e kam mbështjellë me një batanije dhe e kam hedhur në koshin e plehrave pranë shtëpisë në një kohë, kur erdhi makina e grumbullimit. Kam qëndruar në këmbë në cep të rrugës dhe kam parë kur makina mori koshin ku kisha hedhur kufomën dhe e hodhi në karrocerinë e saj. Më pas kam hyrë i qetë në shtëpi”,- kjo ka qenë dëshmia e Ardian Prrenjasit për grupin e hetimit.
Ndërkohë bëhet e ditur se policia i ka ndërprerë kërkimet në zonën e Sharrës, për gjetjen e kufomës së Julian Çelës. Vështirësitë për shkak të errësirës kanë bërë që ekspertët të ndërpresin kërkimet për t’i rinisur sërish në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë, së bashku me autorin e krimit.
E ndërsa kërkimet në Sharrë janë ndërprerë, policia po merr në pyetje gruan me të cilën bashkëjetonte pedolifi. Mendohet se ajo mund të ketë dijeni për vrasjen e Julianit. Burime policore bëjnë të ditur se ajo ka qenë tek prindërit e saj në Dibër, kur pedofili 45 vjeçar rrëmbeu një ditë më parë 10 vjeçarin që u lirua sot nga policia.
Duket se pedofili Ardian Prrenjasi ka qenë një person i padëshiruar edhe nga familja e tij. “Vëllai im meriton të vritet”. Kështu e ka dënuar Besnik Prrenjasi, veprimin e të vëllait Ardianit i cili ka abuzuar seksualisht me një të mitur, ndërkohë që sot doli në dritë krimi mostruoz me 11-vjeçarin Julian Çela.
Në një prononcim për News24, Besniku rrëfen se Ardiani ka pasur probleme mendore që pas kryerjes së ushtrisë, ndërkohë që familja ka 15 vite që e ka dëbuar.
“Ardian Prrenjasi ka pasur probleme që pas kryerjes të ushtrisë. E kemi dëbuar nga shtëpia që prej 15 vitesh. Nuk kemi komunikuar me Ardianin. Meriton të vritet. Ai ka qenë i dënuar me 4 vite në Greqi”, shprehet i vëllai.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





