TEPELENE – Mbrëmjen e së dielës persona të maskuar terrorizuan 18 pasagjerët e një autobusi të linjës Sarandë – Tiranë dhe u grabitën gjithë sasinë e parave që kishin me vete.
Mes pasagjerëve ka qenë edhe një grua shtatzënë, e cila gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare” rrëfen momentet e tmerrit që ka kaluar gjatë bastisjes nga maskat. Shtatzëna tregon se për asnjë moment grabitësit nuk u futën në autobus, por nën presionin e armëve detyruan shoferin Sokol Berxhaj të grumbullonte paratë e pasagjerëve.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në afërsi të fshatit Majkosh të rrethit të Tepelenës. Objekt i sulmit të dy personave të armatosur u bë autobusi i linjës Trans-Butrint me targa SR 6941 B.
Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, 2 persona të armatosur dhe me maska të bardha në kokë i kanë bërë shenjë drejtuesit të mjetit, Sokol Berxhaj që të ndalojë. Fillimisht ata kanë qëlluar në ajër dhe më pas në drejtim të autobusit të mbushur me pasagjerë. Si pasojë e thyerjes së njërit prej xhamave të autobusit ka mbetur i plagosur lehtë pasagjeri Vasil Jani.
Nga jeni?
Unë jam nga Burreli. Jam e martuar në Sarandë, ku edhe jetoj prej disa vitesh.
Për ku po udhëtonit?
Ne ishim nisur në Tiranë, po udhëtoja me vëllain. Kishim një hall familjar. Për këtë morëm autobusin e darkës, për të qenë herët në Tiranë.
A mbani mend se çfarë ndodhi?
Kishim gati një orë e ca që udhëtonim, vendin ku ndodhi s’e di, pasi ishte errësirë dhe s’e dalloja. Unë isha mbështetur tek vëllai dhe po flija, por u tremba kur dëgjova të shtëna armësh. Fillimisht nuk kuptova se ishin armë, pasi isha përgjumësh. Por u zgjova e trembur dhe dëgjova njerëzit që bërtisnin. Vëllai më tha që s’ka gjë, mos u shqetëso. Pastaj u ngritëm në këmbë dhe pashë jashtë autobusit personat me armë dhe maska.
Tentuat të zbrisnit nga autobusi dhe të iknit?
Pashë që disa pasagjerë nga fundi zbritën, por më pas u kthyen mbrapsht nga personat me armë. U terrorizova dhe po dridhesha nga frika.
Dëgjuat gjë të flitej dhe a hynë brenda në autobus grabitësit?
Jo, ata nuk hynë brenda, rrinin tek dera, para autobusit. Ndërsa në këtë kohë shoferi erdhi dhe na tha të gjithëve që të dorëzonim lekët që kishim me vete. Ai erdhi afër nesh. Vëllai i dha 55 mijë lekë të vjetra.
Çfarë ndodhi më pas?
Asgjë tjetër. Me aq sa kuptuam, grabitësit u larguan me vrap, pasi morën lekët tona. Më pas shoferi mbylli derën dhe u nis me nxitim, edhe pse dëgjuam që plumbi kishte shkaktuar një defekt në mjet.
Pse nuk morët policinë?
Vetë isha e tronditur, por dëgjova që telefonuan pasagjerë të tjerë. Dëgjoja që po thoshin, “na grabitën me armë, ejani shpejt” dhe po tregonin vendin ku ndodheshim. Ne ndaluam tek ky lokali. Ai ishte mbyllur, por e hapën për ne. Morëm ujë se ishim frikësuar. Më pas aty erdhi policia dhe i thamë gjithçka që dinim.
Sa muajshe jeni shtatzënë dhe si e përjetuat këtë ngjarje?
Jam 7 muajshe shtatzënë dhe ende s’e kam mbledhur veten. Na shpëtoi Zoti, mirë që mori fund me kaq.





