Teksa OKB-ja i bëri thirrje Izraelit të japë përsëri një urdhër që civilët të largohen nga qyteti i Gazës, BBC ka biseduar me një të mbijetuar të masakrës së Kibbutz Kfar Aza, e cila beson se një pushtim tokësor i Izraelit tani është i justifikuar.
22-vjeçarja, Neta Portal, ndodhet në një spital në Tel Aviv, ku mjekët tani kanë hequr me kujdes çdo plumb – pesë në këmbën e saj të majtë dhe një nga e djathta.
Ajo dridhet ndërsa kujton se si rrëshqiti dhe humbi vetëdijen pasi personat e armatosur hynë në dhomën e sigurt të banorëve në komunitetin hebre Kfar Aza dhe hapën zjarr për herë të parë:
“Ata po qëllonin njerëzit. Ata po qëllonin fëmijët. Dhe njerëzit bërtisnin “Ju lutem jo, ju lutem jo”. U përpoqa të zgjohesha sepse nuk doja të vdisja”.
Me Netën dukshëm të lodhur dhe infermieren e saj që shkon për të marrë më shumë ilaçe kundër dhimbjeve, unë pyes 22-vjeçaren se si mendon se qeveria izraelite duhet t’i përgjigjet masakrës së komunitetit të saj dhe mizorive të tjera.
Pikërisht në këtë pikë, shqetësimi i saj i luhatshëm kthehet në zemërim të thellë.
“Ju doni të vërtetën? Unë nuk e dua më Hamasin në jetën time. Ne duhet t’i shkatërrojmë ata një nga një. Ne duhet të jemi të fortë”-thotë ajo.
I ulur pranë saj në dhomëzën e saj është i dashuri i saj Santiago – ose Santi – i cili përpiqet të mbajë lotët.
– Santi më tha “Neta, të lutem hape dritaren, të lutem kërce. Fillova të hap dritaren dhe pashë 10 ose 15 terroristë”.
Ajo nuk mund ta besonte atë që po shihte.
– Ata po qëndronin në një makinë me një automatik të madh, duke pirë cigare dhe duke qeshur sikur të ishin me pushime.
Neta thotë se ajo dhe i dashuri i saj kishin frikë të hidheshin, por kur një sulmues hodhi një granatë në dhomë, Santi e kapi atë dhe ata u hodhën nga dritarja së bashku.
-Terroristët na panë dhe filluan të qëllonin sikur të ishim asgjë.
Neta u godit edhe me më shumë plumba në këmbë dhe në dorë.
– Santiago më bërtiti: “Të lutem ngrihu – fillo të vraposh. Nëse nuk ngrihesh në këmbë, ne do të vdesim. Ne do të vdesim”
Santiago arriti ta çonte në një vend të sigurt dy rrugë më larg, ku u fshehën nën një grumbull të madh mbeturinash, duke u përpjekur të qëndronin sa më të qetë.