Itali, 12 maj 2014 – Trafikanti i drogës, Saimir Bajrami ka treguar me detaje para prokurorëve të Krimeve të Rënda të gjithë bisedat me pilotin italian Giorgio Riformato, marrëveshjen mes tyre, gjetjen e hotelit në Tiranë, takimet mes tyre si dhe inspektimin e plazhit të Divjakës një ditë para arrestimit.
Krahas dëshmisë së tij, Prokuroria për Krime të Rënda, ka arritur të gjejë dhe sekuestrojë disa pamje filmike, të regjistruara nga kamera të sigurisë së lokalit dhe hotelit, ku piloti italian Giorgio Riformato ka qëndruar. Në këto pamje, sipas burimeve, piloti italian Riformato duket qartë i shoqëruar nga krutani i arrestuar. Këto pamje hedhin poshtë pretendimet e italianit se nuk njihej dhe nuk ishte takuar ndonjëherë me Bajramin.
Sipas shqiptarit, gjithçka ka nisur dy javë më parë në një takim në Vareze të Italisë, ku piloti Riformato merrte përsipër transportin e lëndës narkotike nga Shqipëria në Itali me avion. Pasi kanë rënë dakord, Bajrami ka ardhur në Shqipëri ku ka gjetur lëndën narkotike në zonën e Fushë-Krujës. Me gjetjen e drogës, është njoftuar piloti për të ardhur në Shqipëri.
Sipas dokumentacioneve të sekuestruar tek Aviacioni Civil, rezulton se me datë 5 maj piloti italian është ulur në Korfuz, nga andej ka kërkuar leje për të ardhur në Rinas, leje e cila është miratuar dhe më datë 8 në mëngjes është ulur në aeroport. Mesditën e datës 8 maj, sipas Bajramit, piloti italian me shërbimin taxi të aeroportit ka ardhur në Tiranë, ku janë takuar me krutanin i cili e ka sistemuar në një hotel. Pasi kanë ngrënë drekë, e filmuar edhe nga kamerat e sigurisë së lokalit që tashmë janë sekuestruar, ata janë larguar së bashku.
Mëngjesin e datës 9 maj, Bajrami me makinën tashmë të bllokuar e ka marrë në hotel italianin dhe kanë zbarkuar në plazhin e Divjakës për të parë terrenin ku do të zbritnin për të ngarkuar drogën.
Bajrami thotë se rreth orës 14:30 minuta të datës 10 maj ishte në pritje të avionit, ku pas uljes në ecje e sipër për të ndaluar është këputur rrota e parë e avionit. Në atë moment, ai pretendon se ka tentuar të largohet, por ka ngecur në rërë duke çarë sadokartin. Në nxitim e sipër, Bajrami thotë se është prishur edhe freksioni. Në atë moment, thotë ai kam kërkuar ndihmë për karrotrec dhe ka filluar të fshehë drogën. Sipas hetuesve, dyshohet se kanë qenë dy makina dhe sasia e parë që është gjetur e shpërndarë nëpër pyll ka qenë në pritje për ngarkim dhe ishte shkarkuar nga makina e cila është larguar me shpejtësi.
Ndërsa për hetuesit makina që drejtonte Saimir Bajrami ka ngecur. Në këtë moment Bajrami ka hedhur telefonin së bashku me kartën në pyll, ndërsa makinën e prishur ka tentuar ta marrë me karrotrec. Dyshohet se makinat që janë larguar nga vendngjarja mbanin sasi tjera të drogës, që i kanë shpëtuar edhe policisë. Sipas hetuesve, pritet në ditët në vazhdim të ekzaminohet gjendja teknike e avionit dhe më pas të transferohet pranë aeroportit të Rinasit me cilësinë e provës materiale.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





