TIRANE, 11 mars 2013– Kryebashkiaku hyri duke sharë në tunel pas pjesës së parë

“Ishim poshtë në tunel kur erdhi kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, duke më sharë dhe duke më kërcënuar”. Trajneri i Tiranës, Nevil Dede, tregon ngjarjen e rëndë në stadiumin e Kavajës, që çoi në arrestimin e kryebashkiakut. Sipas Dedes, Elvis Roshi e ka goditur në sy të shumë personave të tjerë, përfshi disa policë dhe përfaqësuesi të Federatës së Futbollit. “U cenua një klub i madh si Tirana, u njollos futbolli ynë”, ka deklaruar Dede pas ngjarjes. Ai ka bërë kallëzim në Polici për ngjarjen e rëndë në Kavajë.

Nevil, çfarë ndodhi në Kavajë?

Ishte pushimi i ndeshjes dhe lojtarët po hynin në dhomat e zhveshjes. Ishim poshtë në tunel kur erdhi kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, duke më sharë dhe duke më kërcënuar.

Pse po ju shante?

Nuk e di, as që e njoh fare atë. U përpoqa të shmangem dhe për një moment mendova se mos ndoshta është pasioni i një tifozi të skuadrës së tij. E papranueshme ishte gjithsesi sjellja dhe fjalori i tij, por nuk i kushtova shumë rëndësi dhe u përpoqa të shmangem.

Çfarë ndodhi më pas?

Vazhdoi me këtë sjellje skandaloze gjersa më goditi. Më goditi mua dhe një anëtar të stafit.

Nuk kishte njerëz të tjerë aty që të ndërhynin?

Kishte njerëz të tjerë dhe policë që ndërhynë menjëherë. Aty ishin edhe vëzhguesi me delegatin. Të gjithë e panë se çfarë ndodhi.

A mendoni se ka pasur ndonjë inat të vjetër Roshi me ju, apo ishte thjesht spontane?

Nuk di se çfarë të mendoj. Unë nuk e njoh fare atë (Roshin), por di t’ju them se ky njeri cenoi postin e trajnerit, cenoi klubin Tirana dhe futbollin shqiptar. Nuk mundet kurrsesi që një njeri me statusin e kreut të Bashkisë të hyjë në tunel dhe të sillet ashtu me trajnerin e një skuadre futbolli. Nuk mendoj se qyteti i Kavajës meriton të përfaqësohet nga një njeri i tillë. Unë kam miq në Kavajë, kam luajtur shumë herë në këtë qytet, por kurrë më parë nuk më kishte ndodhur kjo. Unë dhe gjithë shqiptarët e dimë se sa futbolldashës është ky qytet, ndaj nuk e meriton një njollë të tillë.

Çfarë ndodhi pasi ju goditën?

Asgjë, u trondita, u zemërova shumë. Po e përsëris edhe një herë: u cenua rëndë pozicioni i trajnerit, klubi Tirana dhe i gjithë futbolli.
Ju thatë se keni bërë kallëzim në Polici…
Po, bëra kallëzim. Nuk tolerohet askush që bën një gjest të tillë.

A u përballët sërish me Roshin në Komisariatin e Kavajës?

Po, e pashë që erdhi edhe ai. Nuk më intereson se çfarë tha. Më intereson që drejtësia të vihet në vend.

Po klubi a ka bërë padi?

Nuk e di, unë mund t’ju them vetëm për veprimet që kam ndërmarrë unë.

Po në fund të ndeshjes pati probleme?

Jo, nuk pati ndonjë problem. Thjesht u takova me presidentin e Besës, Nexhat Bizhdili, i cili më kërkoi disa herë të falur për atë që kishte ndodhur.

A ndikoi ky incident në pjesën e dytë?

Nuk di ta them këtë. Unë nuk mund ta përdor si alibi për humbjen atë që ndodhi në tunel, por as nuk mund të mohoj se pas atij incidenti shumë gjëra nuk ishin më normale. Nuk mendoj se mund të flitet për futboll kur dikush vjen e të godet pa asnjë shkak, kur je duke ushtruar detyrën. Pa dyshim që nuk isha i qetë dhe nuk e di nëse kam bërë zgjedhjet e duhura apo jo.

 

Reagon Roshi: Nuk e godita, Dede ofendoi tifozët

Kryebashkiaku Elvis Roshi, i kontaktuar nga gazeta për këtë incident, e ka mohuar që ta ketë goditur trajnerin Nevil Dede. Përkundrazi, ai e akuzon atë se ka ofenduar qytetarët kavajas. “Nuk ka pasur asnjë konflikt mes nesh, por trajneri i Tiranës ka ofenduar të gjithë tifozët e Kavajës. E jo vetëm ai, por edhe shefi i Komisariatit të Kavajës. Ky i fundit, Urim Rexhepi, është militant dhe do të mbajë përgjegjësi për veprimin e kryer. Ai provokoi të gjithë tifozët dhe ofendoi qytetarët. Për këtë do të bëj të pamundurën që ndaj tij të merren masa. Unë do të mbroj interesat e popullit tim, ndaj do bëj gjithçka që shefi i Komisariatit Nr. 7 të largohet nga detyra, sepse është pjellë e Millosheviçit”, – tha fillimisht kryebashkiaku. I pyetur sërish nëse e ka goditur apo jo trajnerin, ai u përgjigj: “Nuk kam pasur kontakt fizik me të, por sigurisht që do të bëj kallëzim penal, pasi u mposhtën në Kavajë dhe nuk ka si justifikohet te kryetari Basha pastaj. Unë po e përsëris edhe një herë se do të denoncoj publikisht në çdo media shefin e Komisariatit dhe se do të mbledh menjëherë Këshillin Bashkiak që të marrë masa. Në të kundërt, do dalim në protesta, pasi ai njeri që ofendon qytetarët kavajas, duhet të marrë dënimin e merituar”, – tha Roshi pak para se të arrestohej nga policia.

Reagon Tagani: “Nuk doja që ekipi të vijonte ndeshjen”

Ka mbetur i habitur nga e gjithë kjo ndodhi, madje pa marrë parasysh asnjë lloj penaliteti. Ai nuk donte që ekipi të zbriste në fushë pas kësaj ngjarjeje. Salih Tagani, administratori i Tiranës, pak pasi kishin kryer kallëzimin penal, ka reaguar për “Panorama Sport”. Numri një i klubit pret të merren masa, pasi një ndodhi e tillë është e papranueshme. “Reagimi ynë ka ardhur me vepra, pasi kemi bërë kallëzim penal për këtë ngjarje dhe veprimin e kryer nga kryebashkiaku i Kavajës. U cenua institucioni ynë, sepse për ne Tirana është institucion, ndaj nuk do ta lëmë me kaq këtë që ndodhi. Dhuna është kurdoherë e papranueshme, por kur ndodh jashtë terrenit të një fushe kalon çdo lloj limiti. Nuk është e drejtë që një individ, i cili ishte duke bërë punën, të goditet nga një tjetër. E turpshme! Unë nuk e pashë skenën, sepse isha në tribunë. Rroshi kishte lëvizur më herët. Por kur pashë konfuzionin, shkova të interesohesha. Dhe aty më thanë se çfarë kishte ndodhur. Më tej shpjegimet më të detajuara m’i dha trajneri, kësisoj menjëherë vendosa që lojtarët të mos zbrisnin në fushë për pjesën e dytë, pa marrë parasysh penalitetet që do të na vinin. Mirëpo, insistimi i vetë futbollistëve dhe trajnerit për ta çuar deri në fund atë takim të nisur tashmë, më bëri të ndryshoja mendje. Ekipi nuk donte që të dënohej për këtë veprim, ndaj e rimendova dhe lejova që të luanin. Por në këtë vendim të dytë ndikoi edhe presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, i cili na kërkoi falje pambarimisht për këtë ngjarje”.

/Marrë nga Panorama/