Lideri i LIBRA-s, Ben Blushi, e ka lënë (të paktën për një pasdite) mënjanë partinë e tij, për të zbuluar një profil tjetër të vetes jashtë politikës. I ftuar pasditen e sotme në “Rudina”, Ben Blushi rrëfeu më shumë për eksperiencat në fushën e gazetarisë, vitet dhe orët e gjata mbi libra, sukseset si shkrimtar, por edhe disa sekrete të familjares, që më parë nuk i keni ditur.

Si asnjëherë më parë në një studio televizive, Ben Blushi rrëfeu rolin e tij si baba i tre fëmijëve dhe raportin që ka me ta sot, kur ata janë të ndërgjegjshëm për pozitën politike të të atit dhe rolin e tij si një prej zërave më të fortë të saj. Nëse është një baba i mirë apo jo, Blushi refuzon ta thotë: “Për këtë duhet të pyesni fëmijët e mi, nuk mund ta them unë” –thotë ai, por e di mirë se investimi tek ata ka qenë maksimal nga të dy prindërit, edhe pse barra kryesore i ka rënë Evës, bashkëshortes së tij, megjithatë: “Ajo që më intereson më shumë është liria e tyre. Unë besoj që janë dhe do të jenë të lirë. Unë dua t’ua bëj sa më të lehtë faktin që në familje të mos ketë shumë politikë, sepse e di që për ta dalja ime në televizor nuk është gjithmonë komode…”.

Natali është vajza e madhe, studente 22-vjeçare, Niku 16-vjeçar dhe Davidi, djali i vogël i familjes Blushi, janë ushqyer me dashurinë për librat, për shkollën dhe, natyrisht, edhe për historinë familjare. Siç tregon Blushi, ata duhet të dinë se të parët e tyre kanë luftuar për të pasur alfabetin latin dhe gjuhën që kemi ne sot.

Në njërën prej fotove me fëmijët, Blushi komenton: “Kjo është një foto në Manastir, aty ku është bërë Kongresi i famshëm, para disa vitesh. Ishte një përvjetor dhe një datë e shënuar edhe për një arsye familjare, sepse katragjyshi i fëmijëve të mi ka qenë firmëtar i këtij alfabeti në atë kohë në Mansastir. Stërgjyshi im votoi për një alfabet latin, atë që kemi sot. Kështu që edhe fëmijët e mi është mirë ta njohin këtë godinë dhe bashkë me të edhe historinë. Është mirë që kjo godinë të mos cenohet, sepse nga aty kemi gjuhën. Stërgjyshi im ka qenë atje duke u marrë ditë për ditë me çdo germë, është diskutuar për orë dhe me ditë të tëra për një germë….”

Nëse është në gjendje ta ndajë raportin me vajzën dhe me dy djemtë, Blushi thotë se në të vërtetë ka një dallim mes tyre: “Vajzat, nga natyra janë më të disiplinuara, djemtë janë më rebelë, megjithatë ata të tre ngjajnë si natyra dhe janë shumë të lidhur. Edhe nga diferenca në vite që kanë, ata po rritin njëri-tjetrin…” – thotë ai, por ama nuk e di dhe as këmbëngul për të kuptuar ç’rrugë do të zgjedhin ata në jetë: “As i kam pyetur dhe as nuk dua t’i lexoj në këtë mënyrë. Ata janë në moshën që po vendosin, vajza ka më shumë prirje artistike, djali i dytë, as ai vetë nuk e di çfarë do të bëjë, por do ta gjejë shpejt (edhe unë kështu kam qenë), ndërsa Davidi e ka të qartë se ç’do bëjë, por nuk e tregon.”
Babai i tre fëmijëve, në të vërtetë, do të donte të kishte më shumë fëmijë, edhe pse brezi i tij, në përgjithësi, janë prindër me dy fëmijë, ndër ta edhe me katër: “Do isha më i lumtur të kisha më shumë se 3…. Në brezin tim ishte normale të kishin nga dy fëmijë, por unë do të doja që Shqipëria të jetë një vend kur njerëzit të gjejnë arsye për të lindur më shumë fëmijë.”/Class