“Kur godita Elenën, kisha një forcë që nuk e kisha ndjerë kurrë më parë. Nuk e mbaj mend reagimin e vogëlushes teksa e godita, ndoshta ajo ishte ende e qetë, por unë e kam shumë të turbullt kujtesën”.
Është një grua e ftohtë, e cila në orën 12:50 të ditës së djeshme, në kazermën e selisë së policisë provinciale në Katania, e ndihmuar nga avokatja Gabriele Celesti, ka rrëfyer se ka vrarë vajzën e saj Elenën. Një nënë krejtësisht ndryshe nga ajo që më pak se 24 orë më parë ishte paraqitur e përlotur para karabinierëve të vendit të saj, Mascalucia, për të raportuar se vajza e saj ishte rrëmbyer nga tre burra të armatosur dhe me kapuç.
Fillimi i rrëfimit të 23-vjeçares Martina Patti, duket si një portret normal familjar. Ajo grua e vockël, një nënë-fëmijë që ndiqte Fakultetin e Shkencave të Infermierisë në Messina, përshkruan kthimin në shtëpi me vajzën e saj, pas kopshtit. Para tmerrit të shtatë plagëve me thikë në qafë dhe shpinë dhe më pas trupin e vendosur në pesë qese të ndryshme plastike, njëra brenda tjetrës, si një ngjarje makabre. Dhe pastaj pisllëku i hedhur sipër për të fshehur gjithçka.
“Kur e mora vajzën time në kopësht shkuam në shtëpinë time. Elena donte të hante një puding pastaj po shikonte filmat vizatimorë në celularin tim. Ndërkohë unë isha duke hekurosur…në mbrëmje duhej të kishim shkuar te një miku im për ditëlindjen e tij dhe Elena ishte e lumtur…më pas dolëm të shkonim në shtëpinë e mamasë sime, por më pas ndërrova mendje për gjithçka”.
Megjithatë, plani për të vrarë vajzën ishte tashmë në aksion.
“Nuk mbaj mend nëse kam marrë ndonjë send nga shtëpia me vete. Ka qenë rreth orës 14:30, kemi shkuar në fushën që i kam treguar karabinierëve”. Dhe më pas shton: “Ishte hera e parë që e çoja fëmijën në atë fushë… E kam imazhin e thikës, por nuk e mbaj mend ku e kam marrë. Nuk mbaj mend të kem lënduar vajzën e vogël, thjesht mbaj mend që kam qarë shumë”.
Ajo rindërton fazën pas krimit dhe inskenimit të rrëmbimit.
«… ndoshta e kuptova që fëmija kishte vdekur dhe nuk dija çfarë të bëja. Menjëherë pasi thirra babanë e Elenës, por isha aq e mërzitur sa nuk po kuptoja se çfarë po thoja … kështu që shkova në shtëpinë e prindërve të mi, isha shumë e hutuar dhe ajo që kishte ndodhur nuk më dukej e vërtetë » .
Hetuesit e ndjekin por ajo është evazive: “Nuk më kujtohet ku e kam vënë thikën… para se të shkoja te prindërit e ndërrova, por rrobat që vesha kur isha me vajzën nuk ishin të përlyera me gjak. Isha njollosur vetëm në krahë dhe mbaj mend që qaja me të madhe … kur takova prindërit e mi dhe Alessandron (ish-partnerin) shpika historinë që na kishin ndaluar dhe se ata kishin rrëmbyer fëmijën duke shfrytëzuar historinë e kërcënimeve ndaj Alessandros».
Rrëfimi i saj ka një detaj të vërtetë; Pak kohë më parë partneri i saj kishte marrë një notë kërcënimi ndaj tij dhe fëmijës. Një detaj që në mendjen e Martinës do ta kishte bërë të besueshme historinë e rrëmbimit, po të lidhej me dosjet e vjetra kriminale të babait të Elenës.
Gruaja është shumë evazive për fshehjen e kufomës: “Nuk mbaj mend ta kem varrosur vogëlushen, por me siguri që do kem qenë unë”.
Dhe më pas vjen pjesa më rrëqethëse: “Nuk mbaj mend çfarë më ka shkuar në mendje kur godita vajzën time, në fakt mund të them që nuk më kalonte asnjë mendim, sikur në atë moment të isha një person tjetër. Dje kur dolëm nga kazerma teksa po shkonim në shtëpi, fillova t’i tregoja të vërtetën babait tim, megjithëse me vështirësi dhe me frikën se mos ndihej i sëmurë”.
Marrë nga Corriere della Sera
S.L.
/DurrësLajm/





