Në javën e fundit, njëra nga temat më të përfolura në Kosovë, ishte përdhunimi i grave gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo temë, u kthye edhe njëherë pas publikimit të një fotografie nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, përmes së cilës pretendohej të dëshmohen krimet seksuale të serbëve.
Për këtë, të enjten në Frontal, ishte e ftuar njëra nga gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Ajo për T7, tha se ishte duke qëndruar me familjen e saj në shtëpi, kur serbët hyn më forcë dhe e dhunuan para syve të gjithë familjes.
“Kanë hyrë serbët edhe na kanë dhunuar në shtëpi, ndër sy të familjarëve, ndër sy të fëmijëve, ndër sy të nënës e babës e burrit. Edhe na kanë marrë me vete peng, tri ditë e tri net, na kanë dhunuar pa ndaluar. Kemi kanë si grup, ne që ishim më të bukura na morën, e dy tjera i kanë lanë në shtëpi”.
Ndërsa më pas, ishte dhunuar për disa ditë me radhë. “Na kanë marrë e na kanë dërguar me një fshat, na kanë dhunuar nga 12-13 herë, derisa jemi alivanosur. E alivanosjen na i kanë heq me raki e me urinë. Kemi qenë 17 gra, na kanë dërguar në një fshat të Studimes”, ka thënë e dhunuara për Frontal të T7.