Nga Gladiola Busulla
DURRËS, 4 shkurt 2015 – Profil qytetar: Rregjina Prendushi Gokaj, lindur dhe jetuar në Shkodër, banore – vizitore në Durrës (siç pëlqen ta quajë veten), ka mbi gjashtë vjet lektore në Universitetin e Durrësit, ku ka dhënë dhe jep kontribut edhe në pozicione drejtuese (zv.rektore UAMD). Është diplomuar si Specialiste dhe Mësuese e Gjuhës Angleze, si dhe në Psikologji në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, respektivisht në 1999 dhe 2009. Masterin dhe doktoraturën i përfundoi në Universitetin e Tiranës pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Letërsi Botërore, profili Dramë.
Aktualisht jep kursin e Teorive Letrare në Bachelor dhe Mësimdhënie e Letërsisë në Master. Karrierën në arsim, fillimisht si mësuese e ka nisur në 1999 në Sarandë e më pas në Shkodër. Pas disa vitesh ka vijuar si lektore në universitetet e Shkodrës, Durrësit, Elbasanit dhe Tiranës.
1- Rregjina, e re dhe energjike. Për shumë pedagogë, studentë, kolegë etj., shërbeni si shembull pozitiv i zhvillimit në karrierë. Ç’këshilla do t’u jepnit dashamirësve tuaj?
Faleminderit. Besoj se të rinj dalim nga kjo botë e lashtë, pavarësisht viteve që mbushim. Nuk e di në jam shembull pozitiv, por mendoj se pasioni për punën, përkushtimi ndaj saj jep frutet e veta me kalimin e kohës. Në këtë kuptim, duke lënë mënjanë moralizimin e tepert si të panevojshëm, mendoj se etapat graduale të profesionit duhen ndjekur të tilla në mënyrë që të hidhen hapa më të sigurt në rrugëtimin tonë. Çdo vit në çdo shkollë tjetër është një përvojë më shumë që pa e ndier të rrit profesionalisht. Kam patur fatin të prek të gjitha ciklet e arsimit si mësuese edhe si lektore, që me nxënësit e klasave të para e deri ne universitet për mjaft vite, dhe kjo është një pasuri profesionale që nuk e merr ndryshe përveçse në këtë formë. Sa për këshillat, mendoj se akoma po ndjek këshillat e prindërve të mi, ndoshta atëherë kur të arrij në moshën e tyre do të jem plot me këshilla për të tjerët. Tani jemi në fazën e shkëmbimit të ideve dhe promovimit të përvojave vetjake pozitive.
2 – A besoni se mësuesit kanë influencën më të madhe në shoqëri? Sipas jush, cila periudhë historike e arsimit shqiptar ka pasur influencën më të ndjeshme në zhvillimin e kombit tonë?
Mësuesit kanë në dorë të ardhmen e gjeneratave, ashtu si edhe prinderit. Zinxhiri i shoqërisë nuk mund të shmangë hallkat arsimore ku mësuesi ka një rol kyç. Ndërsa po flitet shumë tashmë për reformat në arsim, një studente së fundmi më bëri një pyetje “boomerang” : kush e ka dëmtuar më shumë sistemin arsimor, ju mësuesit apo ne nxënësit? Sigurisht që ne duhet të marrim përsipër përgjegjësitë tona si mësues në rradhë të parë, e më pas si lektorë apo profesorë në auditore. Nëse nuk kujdesemi të jemi çdo ditë mësues në mision, e kemi më të vështirë të jemi lektorë apo profesorë, në kuptimin e përçimit të dijeve, e jo vetëm të shpërfaqjes së njohurive që i duhen studenteve. Besoj vërtet në rëndësinë dhe rolin që mësuesi ka në shoqëri, prandaj përgatitja e tyre është një përgjegjësi akoma më e madhe që duhet marrë përsipër seriozisht sa më parë nga universitetet tona. Kjo nuk bëhet me fjalë dhe me angazhime boshe, por me punë, seriozitet dhe shembull konkret. Studentët tanë dinë të dallojnë shumë mirë ofertat e larmisë së lektorëve por për fat jo të mirë nuk kanë shumë mundësi zgjedhjeje. Nëse kolegët e mi po më lexojnë me kritikë të heshtur, atëherë mendoj se kam thënë diçka. Nëse studentët e mi do të më lexojnë me kritikë të zëshme, atëherë mendoj se kam bërë diçka. Arsimi është proces i vazhdueshëm që ka trajta të ndryshme gjatë ecurisë së vet. Nëse mendojmë për arsimimin e shoqërisë në istitucione, duhet të kemi parasysh se ky proces është thellësisht i varur nga politikat e ndërmarra nga qeveritë e kohës. Me të gjitha anomalitë që mbart ky proces në vetvete, mendoj se gjithmonë i ka sjellë më shumë anë pozitive sesa negative shoqërisë, pasiqë arsimi e ka esenciale të mirën e vet. Të gjithë priremi të jemi nostalgjikë me shkollimin tonë, por kjo nuk do të thotë të mohojmë çdo vlerë që arsimi ka patur ndër vite, qoftë para viteve ’90 qoftë më pas, duke marrë gjithashtu në konsideratë edhe arsimin e para vitit ’44. Gabimisht, shumë nga ne e lëmë në hije etapën e arsimit të para vitit ’44, si arkaizëm i tepruar. Nëse i referohemi kronikave të kohës, arsimi në atë periudhë ka patur një ndikim madhor në zhvillimin e shoqërisë. Periudha e diktatorit pati një të mirë që duhet vlerësuar, pasi uli ndjeshëm analfabetizmin në rang kombëtar, por nga ana tjetër shtoi formalizmin dhe pengoi mendimin krijues. Periudha e pas viteve ’90 mendoj se duhet gjykuar pasi të kenë kaluar edhe disa vite të tjera kur logjika jonë të jetë më e ftohtë nga debatet e ndezura të kësaj periudhe.
3- Ç'risi dhe ç'kontribute përfaqëson UAMD-ja në sistemin arsimor shqiptar?
UAMD-ja është risi në vetvete nga mosha që ka. Mosha relativisht e re e UAMD-së karakterizohet nga përballja me sfidat e kohës dhe angazhimet që merr përsipër duke besuar në forcat dhe energjitë që ka. Kjo duket në sinergji me moshën rinore biologjike, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme studentët na zgjedhin, duke e renditur kështu si universitetin më të kërkuar pas Universitetit të Tiranës. Ky është një privilegj për të gjithë stafin akademik dhe administrativ, andaj edhe përgjegjësia që duhet të kemi kundrejt këtyre studentëve duhet të japë gjithmonë e më tepër efektet e veta pozitive. UAMD-ja ka një kontribut të rëndësishëm në sistemin arsimor shqiptar pasi për studentët është një alterantivë tjetër me një sistem ndryshe nga ai tradicional. Në Universitetin e Durrësit leksionet janë të integruara me seminaret, çka i japin ngjyrë dhe muzikalitet orës së mësimit, ku lektori ndërthur paraqitjen e njohurive të reja me njohjen paraprake të studentëve, si dhe njëkohësisht punon me studentët për përforcimin dhe elaborimin e tyre në mënyrë interaktive. Procesi i kontrollit të dijeve është larg skemës tradicionale të sezoneve, si dhe pragu i kalushmërisë është një sfidë për cilësinë e studentit në terma relativë afatgjatë me bashkëmoshatarët e tij në universitete të tjera.
4- Ç'u sugjeroni studentëve të sapodiplomuar që do të përballen së shpejti me konkurrencën e egër të tregut të punës?
Tregu i punës nuk mendoj se është i egër. Ai është thjesht pak i ashpër dhe i sertë…. Dua të them, i ashpër pasi na kthehet me vërejtjet që i dinim por nuk i merrnim parasysh; dhe i sertë pasi na thotë seriozisht dhe në mënyrë të pamëshirshme të ulim edhe këmbën tjetër në tokë që të analizojmë situatën reale me kapacitetet konkrete që kemi. Nëse studentët do të më lexojnë, dua t’ju them që të mos pranojnë të bëjnë diçka që nuk e ndiejnë, as për hatër të një vendi pune. U sugjeroj të fillojnë duke provuar gjëra të vogla, por t’i shijojnë ato; kështu i hapet “oreksi” për punë dhe ia dinë më mirë vlerën. Dhe çka është më e rëndësishme, kur të binden se janë në rrugë të drejtë, të mos tërhiqen asnjëherë, për asnjë arsye.
5- Akademiku Allan Bloom ka thënë: “Edukimi është lëvizje nga errësira drejt dritës”. A mendoni se arsimi është mënyra më e mirë për të ndryshuar botën?
Nuk mendoj se ka vetëm një mënyrë për të ndryshuar botën, edhe pse nuk më pëlqen që bota të ndryshojë. Një botë ideale, utopike dhe patë meta, do të ishte një monotoni vrastare, aspak interesante për dinamizmin që vetë karakteri i njeriut ka për ta përballur atë. Pikërisht, larmia e vështirësive e mban në moto njeriun për zhgënjime, rrëzime, rimëkëmbje, përmirësime të vazhdueshme dhe kërkesa të reja. Patjetër që arsimi na ndriçon mendjen në rrugën e jetës; por unë mendoj se zemra është motorri i ndezur për të nisur një rrugëtim drejt progresit. Nëse nuk kemi dashurinë për jetën, e cila gjeneron të gjitha dashuritë e tjera të vogla e të mëdha, dhe sepse për shkak të saj kemi ardhur në dritë, nuk mund të kemi ndriçim të rrugës sonë. E për këtë arsye, unë do ta përvetësoja shprehjen e Bloom-it me një ndërhyrje të vogël: “Dashuria na lëviz nga errësira drejt dritës”. Përsa i përket citateve, une shpesh e sjell në vëmendje të sudentëve Oscar Wilde-n me këtë thënie: “Education is an admirable thing, but it is well to remember from time to time that nothing that is worth knowing can be taught. – Edukimi është diçka e admirueshme, por është mirë që herë pas here të kujtojmë se asnjë nga gjërat që ia vlen të dimë, nuk mund të na e mësojnë.”
Faleminderit!





