Koment nga Drilon Xhepollari

Natyrisht, tavolina e Silvinjos nuk është e lehtë. Në “pjatancën” e Kombëtares, disa duhet të përdorin pirunin, ndërsa të tjerë lejohen që të përdorin “duart”.

Pra, standardet nuk janë të njëjta, pavarësisht se “pecetat” e kuqe janë një domosdoshmëri. 

“Pjatanca” me të cilën po përgatitet produkti për t’u përballur me Çekinë dhe Ukrainën, ka elementë nga të gjithë, por jo nga të njëjtat.

Silvinjo thotë se në tavolinën e tij duhet të vijnë vetëm lojtarët që luajnë rregullisht, por bileta kanë marrë edhe ata që nuk aktivizohen.

Por, natyrisht, standardi i dyfishtë i atyre që luajnë dhe atyre që nuk luajnë, prodhon debate në opinionin sportiv dhe vë në punë penën e gazetarëve, të cilët shikojnë me imtësi se si vijnë lojtarët në kombëtaren shqiptare.

Elseid Hysaj nuk grumbullohet nga Lazio, por në kombëtare luan titullar, ndërsa Adrian Bajrami dhe Jon Mersinaj, në këtë moment, nuk aktivizohen në klubet e tyre, ashtu si portieri Simon Simoni. 

Nëse Hysaj ftohet për kontributin në të kaluarën, po portieri Etrit Berisha, që ka mbajtur shirtin e kapitenit, a duhet të ketë pretendime për të qenë pjesë e grupit?!

I detyruar nga dëmtimi i Berat Gjimshitit dhe Marash Kumbullës, Silvinjo thirri me shpejtësi mbrojtësit Adrian Bajrami dhe Jon Mersinaj. 

Bajrami është grumbulluar shpesh në kombëtare, por te klubi i tij, Benfica, nuk aktivizohet. Në këtë sezon, ka luajtur vetëm 58’ minuta me ekipin B të Benfica-s në Ligën e Dytë.

E njëjta situatë është edhe me Mersinajn, i cili, ndonëse sezonin e shkuar ishte një element tepër i rëndësishëm te Lokomotiva, në këtë fushatë nuk luan që nga 17 gushti.

Luftë me faktet nuk mund të bësh dhe Silvinjo e di, por ai insiston se kjo është lista më e mirë e mundshme.

Në këtë situatë, një emër që mund të ishte pjesë e kombëtares për repartin difensiv është Eneo Bitri, i cili luan tek ETO Gyor në Superligën e Hungarisë dhe mban shiritin e kapitenit. 

Mbrojtësi beratas është ndër më të vlerësuarit në ligë, ndërsa ka shënuar edhe 3 gola në 11 paraqitje. Gjithashtu, u shpall edhe lojtari i muajit tetor.

Statistikat flasin vetë, por si duket Silvinjo nuk i ka qejf lojtarët nga Berati, pasi në Euro 2024 la jashtë Myrto Uzunin, edhe pse shënoi 11 gola në La Liga.

Ndërkaq, për sulmin pas dëmtimit të Manajt, një alternativë mund të ishte Cristian Shpendi, autori i 10 golave në Serie B. Ky i fundit kërkohet nga disa klube të rëndësishme në Itali dhe jo vetëm. 

Alernativa mund të jenë dhe të tjerë. Natyrisht Silvinjo nuk duhet të ngelet vetëm te grupi që ka, pasi qëllimi është forcimi i kombëtares.