Pronarët e mjeteve ujore të argëtimit janë ngritur në protestë ditën e sotme në plazhin e Durrësit.

Shkak është bërë futja e një pike të re në kontratën me Policinë Kufitare.

Policia Kufitare këtë vit, ndryshe nga vitet e shkuara, kërkon që çdo pushues të ketë patentë para se të marrë me qira një mjet ujor, ç’ka bllokon automatikisht aktivitetin e këtyre subjekteve.

Pronarët e tyre kanë investuar nga 50 deri nëe 100 mijë euro në blerjen e motorëve të uji dhe mjeteve të tjera të argëtimit.

Dhe tashmë, Policia Kufitare me kontratën e re, bllokon tërësisht ativitetin e tyre.

Sot, subjektet, nëpërmjet përfaqësuesit të tyre ligjor, kanë dëguar në gjykatë këtë çështje duke kërkuar rishqyrtim të kontratës.

Edhe vitin e shkuar subjektet e mjeteve ujore të argëtimit u përplasën me Policinë Kufitare në pikun e sezonit turistik, por ishte Drejtoria Rajonale e Kufirit që u tërhoq nga vendimi për bllokimin e tyre.

Teksa çështja pritet që të shqyrtohet në gjykatë, të humbur janë pronarët e këtyre mjeteve që vazhdojnë të paguajnë taksat e shtetit dhe kontributet e sigurimeve shoqërore të punonjësve.