Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump ka bërë publik sot një rregull të ri që mund t’ua pamundësojë shtetësinë amerikane qindra mijëra personave në vështirësi ekstreme ekonomike.
Ky rregull, që është propozuar nga ndihmësi i Trumpit për çështje të migrimit, Stephen Miller dhe do të nisë së zbatuari nga mesi i tetorit, parashikon refuzimin e aplikimeve për viza të përkohshme apo të përhershme për personat që nuk përmbushin kriteret standarde të mirëqenies apo që marrin asistencë sociale nga shteti, transmeton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ekspertët kanë deklaruar se kjo mund të jetë një nga politikat më drastike të Trumpit kundër emigrimit. Rregulli i ri është bazuar në Aktin për Imigrim që daton nga viti 1882, i cili i lejon qeverisë amerikane të refuzojë viza për secilin që ka mundësi të kthehet në “përgjegjësi publike”.
Zyrtarët amerikanë kanë futur në listën e “përgjegjësisë publike” ata aplikantë që potencialisht mund të varen financiarisht nga shteti.





