Mëngjesin e sotëm, kryeministri Rama publikoi në rrjete sociale një video nga projekti i Parkut të Madh të Durrësit, i parashikuar të ndërtohet në Porto Romano, në vendgrumbullimin e plehrave.
Të shumtë kanë qenë qytetarët që kanë nxituar t’i kujtojnë Ramës se ndërsa prezanton projektet 3D, në pallatet e Durrësit janë mjaft të dukshme dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit dhe mijëra familje janë në pritje të procesit të rindërtimit.
Megjithëse janë të shumtë qytetarët që i kanë shkruar për këtë problem, Rama ka preferuar t’i kthejë përgjigje vetëm njërës, duke i kërkuar të bëjë durim.
“OMG e vertet esht kjo?!!!shum mir, por z kryeminister rregullo pallatet tfuten njerezit ne shtepit e tyre se kemi ngel neper shpia te dynjase nuk esht e leht kjo qe po kalojm, pleaseee”,– i shkruan qytetarja kryeministrit.
Ndërsa përgjigja e kreut të ekzekutivit ishte:
“Patjeter, po duhet durim, se pallatet nuk behen brenda muajit”,- shkruan Rama.
Në fund të këtij muaji, mbushen plot 6 muaj nga tërmeti shkatërrues me magnitudë 6.4 Rihter, i cili dëmtoi në masë pallatet shumëkatëshe, duke nxjerrë në pah ndërtimet abuzive dhe cilësinë e dobët të punimeve.
DurrësLajm po publikon në poshtë disa nga komentet e qytetarëve bërë në Facebook-un e Ramës, ku nuk mungojnë ata që i kujtojnë kryeministrit se e ka prezantuar disa herë këtë projekt, ndërsa në terren nuk ka nisur asnjë punim, apo varfërinë që është ulur këmbëkryq në shumë familje, përderisa janë të detyruara të sigurojnë mbijetesën tek mbeturinat.





