Një rregullore e re që ka lidhje me cilësinë e shërbimeve të energjisë elektrike pritet të miratohet në mbledhjen e radhës së Entit Rregullator të Energjisë (ERE).
Rregullorja e re përcakton se duke filluar nga 1 shtatori 2016, në rast të mosrespektimit të niveleve të cilësisë së shërbimit sipas nenit 16 të kësaj rregulloreje, operatori i sistemit është i detyruar t’i japë një kompensim klientit fundor, me kërkesën e këtij të fundit në vlerën 200 lekë.

Duke iu referuar nenit 16 të kësaj rregulloreje, nëse një klient në Tiranë i ndërpritet energjia më shumë se 10 orë në vit duhet të kërkojë dëmshpërblim. Në qytete dhe fshatra të tjera veç Tiranës dëmshpërblimi për ndërprerjet kërkohet mbi intervalet 12-35 orë në vit.

Rregullorja e re thotë se çdo ndërprerje energjie më shumë se 15 minuta quhet ndërprerje e gjatë.
Duke filluar nga 1 shtatori 2016 në rast të mosrespektimit të niveleve të cilësisë tregtare të shërbimit nga Operatori i Sistemit, është i detyruar t’i japë një kompensim klientit fundor prej 200 lekësh.
Pas verifikimit të mosrespektimit të niveleve të cilësisë së shërbimit, kompensimi kryhet brenda 30 ditësh kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës, shkruan “Monitor”.

Në faturën e dërguar vlera e kompensimit duhet të jetë e përcaktuar nën emërtimin “Kompensimi i klientit për mosrespektim të niveleve të cilësisë së shërbimit ë përcaktuara nga ERE. Gjithashtu në të njëjtin dokument duhet të përcaktohet që “Përfitimi i kompensimit nuk përjashton mundësinë e klientit për ta kërkuar në rrugë gjyqësore”.

Megjithatë, masa e dëmit që duhet t’u paguhet klientëve është shumë modeste (200 lekë) në krahasim me dëmin që mund të krijojë mungesa e energjisë.