16 tetor 2014–  Të gjithë shqiptarët presin që UEFA të veprojë me ashpërsinë e ligjit pas trazirave të shkaktuara në stadiumin e Partizanit të Beogradit duke e konsideruar aktin si një fitore të lehtë për kuqezinjtë. Por cilat janë pikat në të cilat do të mbështetet komisioni i disiplinës në institucionin më të lartë të futbollit evropian, tek të cilat do të bazohet për të marrë një vendim? I shfletojmë sipas radhës. Në artikullin 19 të rregullores disiplinore të UEFA-s së vitit 2008 saktësohet; Nëse një ndeshje nuk mund të luhet ose nuk përfundon, federata apo klubi përgjegjës për këtë mund të gjobitet, ndërsa në pikën 2 të artikullit shkruhet; Në raste më të rënda, federata apo klubi përgjegjës do të përballet me sanksionet e parashikuara në pikën 1 të artikullit 14. Kjo pikë jep një verdikt të qartë për këtë problem; Çdo ekip apo federatë së cilës i adresohet faji humbet në tavolinë me rezultatin 3-0. Për të mbështetur edhe më shumë këtë vendim, UEFA mund të bazohet lehtësisht edhe në pikën 16 të rregullores disiplinore të vitit 2014, e cila saktëson deri në detaje rastet e federatës përgjegjëse. Artikulli 16; Federata pritëse është përgjegjëse për të ruajtur rendin dhe sigurinë përpara dhe pas ndeshjes. Kjo federatë jep llogari por çdo lloj incidenti dhe dënohet në rastet kur cilësohet fajtorë. Ata janë përgjegjës për incidentet e çdo lloji dhe mund të bëhen subjekt i vendimeve disiplinore. Pika 2 saktëson gjithashtu se federatat apo klubet janë gjithashtu përgjegjëse edhe për sjelljen e tifozëve, ndërsa më pas radhiten edhe rastet kur organizatorët cilësohen fajtorë dhe këto raste vijojnë si më poshtë; Pushtim fushe, hedhje objektesh në fushë, hedhje fishekzjarresh, përdorim i lazerave, shpalosja e banesave me përmbajtje ideologjike, politike, religjioze apo provokuese, aktet e dhunës dhe fishkëllimat kundër himnit të kundërshtarëve.