FUSHE-KRUJE, 21 shkurt 2013 – Një 23 vjeçar nga Fushë-Kruja është shpallur në kërkim, pasi akuzohet për veprën penale të dhunës në familje. I riu, për të cilin policia jep vetëm inicialet A.L. akuzohet se një ditë më parë ka rrahur barbarisht nënën e tij 51 vjeçe.
Burime nga komisariati i Krujës bëjnë të ditur se 51 vjeçarja ka pasur shenja të shumta dhune në trup, pasojë e grushtave që ka derdhur mbi të djali i saj. Policia njofton se pas rrahjes së të ëmës i riu është larguar nga banesa, ndërkohë që nëna e tij, duke mos duruar më dhunën e ushtruar nga i biri ka bërë denoncim në polici për rastin në fjalë.
Policia e Fushë Krujës ka nisur një hetim për këtë ngjarje, ndërkohë që në pamundësi të lokalizimit të vendndodhjes së 23 vjeçarit e ka shpallur atë në kërkim. Policia bën të ditur se ka nisur punën për të kapur 23 vjeçarin dhe sqaruar rrethanat që e kanë shtyrë të ndërmarrë këtë akt ekstrem ndaj nënës së tij.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





