MILANO– Një i ri shqiptar është prangosur nga policia italiane, pasi akuzohet për dhunë ndaj bashkëshortes.

Burime nga policia e vendit fqinjë bëjnë të ditur se 28 vjeçari me iniciale L.S. është arrestuar në Milano, pasi rrihte vazhdimisht gruan e tij.

Mbrëmjen e së shtunës kanë qenë komshinjtë e çiftit ata që kanë njoftuar karabinierët, pasi britmat për ndihmë të gruas dëgjoheshin në të gjithë pallatin.

Policia e ka arrestuar të riun ndërsa po përpiqej të largohej nga apartamenti. Ndërkohë e shoqja e tij 21 vjeçare është dërguar menjëherë në spital, pasi në trup kishte shenja të shumta dhune të shkaktuara nga kablli elektrik me të cilin e kishte goditur i shoqi.

Mjekët i kanë rekomanduar të qëndrojë në spital 10 ditë, ndërkohë që policia ka regjistruar denoncimin e saj për bashkëshortin dhunues.