31 gusht 2015 – Një 16-vjeçare nga kryeqyteti ka denoncuar të ëmën në polici, duke pretenduar se dhunohej pa shkak, madje për arsye banale.

Vajza K.E., më e madhja e tre fëmijëve në familje, ka rrëfyer se mamaja e saj me iniciale V.K. e ka rrahur për shkak se nuk donte që vajza t’i tregonte babait se mamaja do të ikte në Itali me të dashurin, shkruan “Panorama”.

Gjykata shprehej se konflikti mes të dyjave kishte kulmuar në 8 mars ku ato janë sharë dhe ofenduar në sy të dy fëmijëve më të vegjël, pasi nëna 36-vjeçare i kërkonte minorenes “që ajo të mos i tregonte babait të saj se mami do të shkonte në Itali me të dashurin e saj”.

Por, pas lëshimit të urdhrit të mbrojtjes ndaj 16-vjeçares, e paditura nuk duhet ta kërcënojë apo ta ngacmojë më vajzën e saj të madhe dhe njëkohësisht gjykata urdhëron të paditurën të mos afrohet apo të hyjë në banesën ku jetojnë fëmijët e saj dhe as në shkollën e tyre.

Gjithashtu në gjykatë kanë dëshmuar edhe dy fëmijët më të vegjël të familjes në praninë e një psikologeje, të cilët kanë rrëfyer se ndihen të dhunuar nga nëna e tyre. Sipas tyre, ajo ikën vazhdimisht natën nga shtëpia dhe i dhunon psikologjikisht dhe fizikisht, sidomos motrën e tyre të madhe, për shkaqe të kota, kur nuk i plotësohen dëshirat e saj.

Gjykata ka vënë re se ata ndihen të trembur dhe të frikësuar nga veprimet e të paditurës, pasi ajo çdo natë nuk dhunon vetëm fëmijët, por edhe veten e saj, duke thënë se “unë do të vras veten”.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/