28 nëntor 2015 – Forcat e policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë përmes një operacioni kanë liruar  një personi që ishte marrë peng, kanë arrestuar tre persona dhe kanë shpallur në kërkim katër të tjerë. Sipas policisë autorët kishin marrë peng dy vëllezërit me iniciale S.K dhe A.K , por njërin prej tyre e kishin liruar që të gjente 10 mijë euro në këmbim të lirimit të vëllait.

Dy vëllezërit ishin marrë peng që në datë 21 Nëntor 2015 nga 7 persona në fshatin Plan të njësisë administrative Pult të Bashkisë së Shkodrës. Operacioni i koduar “Pengu” u zhvillua mbrëmjen e djeshme, duke bërë të mundur edhe lirimin e njërit prej vëllezërve që ishte marrë peng. Kështu, në prangat e policisë ranë Tomë Shkrepa 32 vjeç, Lek Shkrepa 36 vjeç dhe Kolë Dushku 22 vjeç. Kurse në kërkim janë shpallur P. Dushku 35 vjeç, P. Dushku 20 vjeç, L.Vala 20 vjeç dhe F. Vala 20 vjeç.

Gjatë operacionit të zhvilluar në një terren malor pati edhe shkëmbim zjarri mes policisë dhe pengmarrësve. Disa nga pengmarrësit arritën të largohen duke përfituar nga terreni dhe kushtet klimatike. Policia thotë se në vendin e ngjarjes u sekuestruan 15 gëzhoja dhe 275 gram kanabis sativa.

Paraprakisht dyshohet se arsyeja e pengmarrjes dyshohet të kenë qenë për një pazar droge. Mendohet se një prej vëllezërve kishte ndërmjetësuar me disa persona, të ciilët u kishin blerë drogën, por nuk u kishin dhënë paratë. Kërkimet vijojnë për kapjen e katër personave të tjerë.

/portal DurresLajm/