TIRANE, 06 mars 2013 – Policia e Tiranës finalizoi me sukses një operacion për lirimin e një personi, i cili mbahej peng prej rreth tre orësh, nga tre shtetas që dyshohet se janë të përfshirë në një konflikt borxhesh me të. 

Burime nga policia bëjnë të ditur se shtetasi Fatjon Xhafa mbahej i izoluar në tualetin e një lokali pranë shkollës “Sami Frashëri” në kryeqytet dhe për lirimin e tij pengmarrësit kishin kërkuar 6 mijë euro.

Falë informacioneve të siguruara në rrugë operative, policia ndërhyri mjaft shpejt, duke bërë të mundur lirimin e të riut dhe prangosjen e tre personave që e mbanin të izoluar. Sipas policisë, i riu Fatjon Xhafa është dërguar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi është dhunuar nga pengmarrësit. 

Mësohet se të arrestuarit janë shtetasit Martin Shtenjari, Maksim Moxha dhe Artur Kolpepa, që të tre të moshës 22-24 vjeç. I riu dyshohet se është mbajtur peng për tre ditë me rradhë nga pengmarrësit e tij dhe është dhunuar sistematikisht. Mësohet se policia ka ndërhyrë ndërsa rrëmbyesit e djalit po përgatiteshin të merrnin në këmbim të lirisë së tij paratë e kërkuara.